UBT

Zelensky në Tiranë, Joseph: Njohja e Kosovës nga Ukraina do e zgjidhte ngërçin në Ballkan

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Eksperti amerikan për çështjet e rajonit, Edward Joseph, ka folur lidhur me samitin që do të mbahet nesër në Tiranë dhe ardhjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Profesori i universitetit ‘John Hopkins’, tha për Syri TV se takimet të tilla në kontekstin gjeopolitik janë të rëndësishme.

“Mendoj se në epokën në të cilën jetojmë, takime të tilla, ku mesa di do marrë edhe presidenti i Ukrainës, zoti Zelenski, në kontekstin gjeopolitik ku jetojmë, edhe takimet simbolike janë të rëndësishme. Prandaj unë nuk do e zbehja rëndësinë e këtij takimi,” tha ai, duke theksuar se njësoj Rusia edhe në Ballkan duan t’u imponohen fqinjëve.

Gjithashtu shtoi se në Ballkan, referuar Serbisë, është një vend që kërkon të mbajë qëndrim pro-rus dhe kjo sipas tij është problem. Joseph tha se Shqipëria përballet me probleme të sigurisë dhe kërcënimeve, por sipas tij këto probleme për vendet fqinje janë më të mëdha. Arsyeja e kësaj është se Shqipëria nuk ka pakica serbe.

“Fatkeqësisht në Ballkan ne shohim një vend në veçanti që kërkon të mbajë një qëndrim pro-rus dhe kjo është vërtet një problem. Shpresoj që prania e zotit Zelenski në Tiranë do e bëjë të qartë se një pozicion i tillë është i gabuar dhe nuk mund të mbështetet në këtë epokë. Shqipëria përballet me probleme të sigurisë dhe kërcënime të sigurisë por nuk janë të ngjashme me ato të vendeve fqinje. Shqipëria nuk ka një pakicë serbe të konsiderueshme, prandaj ju nuk mund të jeni në të njëjtin presion siç janë vendet e tjera që janë vazhdimisht nën kërcënimin e aneksimit apo kërkesave të mëtejshme të pakicave. Nuk kemi as problemin e nënshtrimit siç Serbia kërkon të nënshtrojë Malin e Zi apo siç Rusia kërkon të nënshtrojë Ukrainën. Serbia jo vetëm që nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por ka edhe marrëdhënie të aferta me Iranin pasi ky vend refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës,” tha ai.

UBT

Sipas profesorit amerikan, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të ishte një veprim i shkëlqyer për situatën në rajon.

“Mendoj se do ishte lëvizje e shkëlqyer nëse kryeministri ia bën këtë kërkesë presidentit Zelenski. Sepse unë kam shkruar një artikull para një viti. Në këtë artikull unë shpjegoj se njohja e Kosovës prej Ukrainës mund t’i japë një zgjidhje ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë dhe problemit të Ballkanit të shkaktuar nga mohimi i Serbisë për njohjen e këtij vendi. Njohja e Kosovës prej Ukrainës do e zgjidhte këtë ngërç,” tha Joseph.

Duke folur për situatën mes Serbisë dhe Kosovës, ai thotë se nuk sheh progres dhe tha se marrëveshja e shkurtit të kaluar nuk po çon në asnjë zgjidhje.

“Borrell e ka bërë të qartë se ai ka folur me Kurtin dhe Vuçiç dhe nuk ka asnjë lloj progresi. Ka një marrëveshje që e kanë pranuar fillimisht në Bruksel në shkurt. Më pas pati një presion më të detajuar në mars. Më pas ishte statuti i asociacionit për komunat me shumicë serbe. Kryeministri Kurti thotë se e ka pranuar dhe thotë se Vuçiç duhet ta nënshkruajë. Në fakt Serbia është shprehur se nuk do zbatojë një pjesë të mirë të detyrimeve që lindin nga kjo marrëveshje. Unë besoj se pozicioni i Kurtit është i arsyeshëm. Ai kërkon që presidenti Vuçiç ta nënshkruajë dhe kjo është normale. Përgjigjja është se marrëveshja e shkurtit të vitit të kaluar nuk po çon në asnjë zgjidhje,” theksoi analisti amerikan. /dosja