Mobi Casa

Zeka: PDK do të mbetet gjatë në pushtet

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Ne besojmë fuqishëm se PDK do të mbetet gjatë në pushtet. Do të mbetet deri atëherë sa qeverisja jonë të jetë në dobi të Kosovës…Gjilanit dhe qytetarëve të saj, ndërsa nga kjo rrugë askush në PDK, nuk e ka guximin as ta mendojë shmangien thotë në një bisedë për rajonipress Izmi Zeka kryetar i degës së PDK-së në Gjilan.

Zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Gjilan tashmë janë shpallur. Pos interesimit për të forcuar me kuadro të reja këtë subjekt politik, brenda po këtij subjekti ka pretendime nga më të ndryshme për të qenë timonier të saj. Madje janë shfaqur mjaft kandidatë të interesuar për të kandiduar për kryetar të degës së PDK-së në Gjilan.

Në një bisedë për rajonipress Izmi Zeka kryetar i PDK-së në Gjilan flet për interesimin e madh që po tregohet për këto zgjedhje, për kandidatët e interesuar për kryetar të PDK-së, për kriteret që ka PDK rreth kandidimit për kryetar të këtij subjekti, për emrat e rinj që kanë aderuar në PDK, për akuzat e opozitës etj.

Rajonipress : Zoti Zeka jeni në prag të zgjedhjeve të brendshme të PDK-së në Gjilan. Sa ka interesim për këto zgjedhje të brendshme dhe cila është rëndësia e tyre për skenën politike gjilanase?.

Zeka: Interesimi për zgjedhjet është jashtëzakonisht i madh, dhe kjo shpreh besimin e madh të anëtarësisë dhe aktivistëve të strukturave të PDK-së për rritë dhe funksionalizim e funksionalitet të mëtejmë progresiv të strukturave organizative e qeverisëse. Kjo ndodh edhe për faktin se PDK ka shtruar demokracinë brenda saj dhe se zhvillimet politike përparimtare e veçanërisht zhvillimet demokratike në PDK janë vendimtare edhe për zhvillimin e demokracisë në Kosovë, si rezultat edhe në Gjilan, duke e ditur se PDK është bartëse pothuaj e gjithë barrës së demokratizimit të shoqërisë dhe zhvillimit të saj.

Rajonipress: Kush janë kandidatët e interesuar dhe cili është kriteri për të qenë kryetar i PDK-së në Gjilan?

Zeka: Ne sapo kemi filluar zgjedhjet dhe ato do të nisin nga strukturat më të vogla organizative e strukturore partiake – seksionet, dhe Statuti i PDK-së e konfirmon qartë se secili anëtarë i PDK-së ka të drejtën të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur, prandaj secili edhe mund të jetë i zgjedhuri në nëndegë, këshill drejtues, degë apo edhe kryetar i degës. Interesimet do të shpërfaqen pasi të fillojnë zgjedhjet duke iu nënshtruar një procesi të qartë zgjedhor e demokratik mbështetur në rregullat statutare e aktet tjera ligjore të Partisë, dhe e gjithë kjo besoj se do të sjellë begati kandidatësh dhe mundësi të shumta zgjedhjesh.

Rajonipress: Nga këto zgjedhje a mendoni se do të dali më e fuqishme dega e PDK-së në Gjilan?

Hidromorava

Zeka: PDK është bartëse e të gjitha zhvillimeve në Gjilan dhe ne të gjithë e kemi të qartë se cila do të jetë rruga e ecjes sonë, prandaj është domosdo jo vetëm për ne në PDK, po edhe për shoqërinë gjilanase në tërësi që PDK të dalë më e fortë nga këto zgjedhje, dhe kam besim të plotë se kjo do të ndodh. Ne i kemi gjithë predispozitat kadrovike, politike, profesionale dhe organizative për ta bërë PDK-në në Gjilan më të fuqishme.

Rajonipress: A ka kalime-aderime të reja në PDK dhe kush janë emrat e rinj?

Zeka: Në Degën e PDK-së në Gjilan vazhdimisht ka pasur dhe ka ardhje të reja kuadrosh e qytetarësh, që sigurisht, do të intensifikohen tani me fillimin e zgjedhjeve, dhe të gjitha këto ju dhe qytetarët do t’i kuptoni me shumë transparencë gjatë këtij procesi.

Rajonipress: Opozita shpesh ju akuzon se po keq qeverisni me pushtetin. Cila është përgjigja e juaj ndaj këtyre zërave opozitarë?

Zeka: Opozita asnjëherë nuk e ka gjetur rrugën më të mirë për të atakuar pushtetin, pavarësisht se ajo edhe e ka mision këtë, dhe këtë fakt ia ka pamundësuar qeverisja e mirë dhe rezultative që shihet në secilin hap në Gjilan. Gjithnjë mund të ketë individ të pakënaqur, sepse qeverisja jonë ka konsistuar në veprimet që janë të dobishme për shumicën absolute të qytetarëve. Akuza për keqqeverisje është teoretizim pa asnjë fakt mbrapa dhe si e tillë kuptohet qartë nga qytetarët e Gjilanit.

Rajonipress: Edhe sa do të mbetet në pushtet PDK dhe çka e bënë këtë parti të dallueshme nga të tjerat?

Zeka: Ne besojmë fuqishëm se PDK do të mbetet gjatë në pushtet. Do të mbetet deri atëherë sa qeverisja jonë të jetë në dobi të Kosovës…Gjilanit dhe qytetarëve të saj, ndërsa nga kjo rrugë askush në PDK, nuk e ka guximin as ta mendojë shmangien. Shikuar në raport me partitë tjera në PDK jetojnë, bashkëpunojnë e qeverisin struktura me prejardhje nga më të ndryshmet, dhe diversiteti që ata sjellin shpreh dhe rritë demokracinë tonë të brendshme që reflekton pastaj edhe në institucione, fakt ky që në partitë tjera rivale nuk duken asnjëherë. Derisa tek të tjerët ju do ta shihni frymën e një mendimi të vetëm nga lideri i partisë e deri te anëtari më i thjeshtë në strukturën e asaj partie, fakt ky që i bën kopje të kopjeve si do të thoshte një filozof i madh grek, në PDK ju do të gjeni mendime të ndryshme për të njëjtën çështje dhe harmonizim qëndrimesh pas debateve dhe shprehjes së diversiteteve. Kjo është vlera e vërtetë në PDK. /rajonipress/