Zeka i përgjigjet Ilhan Aliut, kërkon që Gjykata e Gjilanit të shpallet inkompetente

Gjilan – Izmi Zeka ish kryetar i degës së PDK-së në Gjilan ka kundërshtuar kërkesën e Ilhan Aliut pronar i restaurant “Luxor” që t`ia paguaj borxhin prej 15341 eurove me arsyetimin se Gjykata Themelore e Gjilanit nuk është kompetente për të vendosur për këtë çështje. Zeka ka thënë se borxhi i pretenduar nuk duhet të kërkohet nga individët e PDK-së, por drejtpërdrejtë nga subjekti politik.
Pasi kishte ushtruar një propozim për ekzekutim pranë Gjykatës Themelore në Gjilan kundër Izmi Zekës kryetar i PDK-së dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, duke kërkuar nga ky i fundit që t`ia bllokojë xhirollogarinë për të paguar faturat në vlerë të 15341 eurove, ka reaguar Izmi Zeka i cili zyrtarisht kë bërë një kundërshtim më 14 prill 2014 kundër këtij propozim ekzekutimi, raporton rajonipress.
Izmi Zeka ish kryetar i degës së PDK-së në kundërshtimin e tij që e ka siguruar rajonipress ka thënë se propozimi i debitorit Ilhan Aliu duhet të hedhet poshtë sepse debitori në këtë çështje përmbarimore, nuk ka legjitimitet pasiv.
Zeka ka thënë se borxhet nuk janë marrë në emrin e tij, por në emër të subjektit juridik dega e PDK-së në Gjilan. PDK-ja në Gjilan e ka xhirollogarinë e saj dhe e ka afarizmin e saj.
Zeka e ka quajtur të palogjikshme edhe konstatimin e propozuesit sa i përket pozitës së tij si zëvendësministër i Punëve të Brendshme.”Unë nuk kam vepruar në emër të postit, por në emër të shtabit zgjedhor të PDK-së” ka sqaruar Zeka.
Zeka ka thënë se debitori nuk mund të kërkojë borxhin nga anëtarët e PDK-së, por drejtpërdrejtë nga subjekti afarist sepse shërbimet e shfrytëzuara nuk janë bërë në emrin e tij personal, por në emër të subjektit juridik.
“Përveç mungesës së legjitimacionit pasiv të debitorit, meqenëse kemi të bëjmë me një borxh të krijuar në mes të dy subjekteve juridike, atëherë kjo gjykatë duhet të shpallet inkompetente dhe pas plotfuqishmërisë së aktvendimit, lënda t`i dërgohet Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit për çështje ekonomike” ka thënë Zeka.
Menjëherë ka reaguar avokati mbrojtës Halit Azemi i cili i ka dhënë një përgjigje zyrtare Izmi Zekës duke e deponuar në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Azemi në përgjigjen e tij ka thënë se klienti i tij nuk mund ta padisë Hashim Thaçin apo Adem Grabovcin për borxhet që i ka krijuar vet Izmi Zeka.”Faturat janë të nënshkruara në emër të Izmi Zekës i cili vet i ka aranzhuar drekat e darkat dhe ka marr për obligim që vet t`i paguaj. Nëse i paguan partia nuk ka problem dhe ne tërhiqemi dhe pushon çështja, por jo në këtë mënyrë duke ikur nga përgjegjësia” ka shkruar Azemi.
Azemi ka kërkuar nga Gjykata Themelore që ta kundërshtojë si të pabazuar dhe jo ligjor kundërshtimin e Izmi Zekës dhe të ekzekutojë propozimin e Ilhan Aliut për t`ia paguar borxhin që i ka PDK në Gjilan në shumën prej 15341 eurove” thuhet në kundërshtimin e Azemit./rajonipress/