Zeka bëhet i gjallë, kritikon qeverisjen e Lutfi Hazirit

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan vlerëson se Komuna e Gjilanit po shkon drejt instalimit të një fryme totalitare, duke e shndërruar qeverisjen komunale, nga një qeverisje me profil profesionistësh në atë nga njerëz partiak, vetëm e vetëm për t’i kënaqur ambiciet e militantëve të LDK-së thuhet në reagimin e degës së PDK-së.

Në reagimin e nënshkruar nga Izmi Zeka thuhet se ky sindrom i kreut të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, nuk është i panjohur për qytetarët e Komunës së Gjilanit, sepse ai në këtë mënyrë kishte vepruar edhe para vitit 2007, kur atë kohë LDK kishte qeverisur me Gjilanin.

Po të shikohet ky 100 ditësh i udhëheqjes komunale, del që kryetari i komunës më shumë është marrë me shëtitje jashtë vendit, se sa me angazhime konkrete të jetës qytetare, dhe realizimin e premtimeve të bujshme që kishte bërë gjatë fushat elektorale.

Qeverisja aktuale ka mundësi të mëdha për t’iu rrekur punëve që e presin, dhe këtë mund ta bëjë me shumë lehtësi sepse qeverisja e PDK-së ka realizuar projekte të shumta dhe shumë projekte të tjera ka lënë në realizim e sipër, projekte tjera të kontraktuara e që dhe presin fillimin e realizimit.

Sa për t’ia rikujtuar kreut të komunës, qeverisja e PDK-së ka investuar projekte kapitale në Komunën e Gjilanit, të cilat kapin shifrën e 92 milion eurove, e për të cilat PDK në Gjilan ndjehet krenare për shkakun se qeverisja e PDK-së kishte intensitet të madh të punëve e investimeve që janë bërë për mandatet e qeverisjes së saj dhe për këtë ishte shembull i qeverisjes së mirë dhe i investimeve kapitale.

PDK në Gjilan, rikujton qeverisjen aktuale që në komunë ka shumë projekte të cilat janë në përfundim e sipër si ai i Bibliotekës rajonale në vlerë prej 2 milion eurosh; Shkolla e Kishnapoles rreth 400 mijë €; projekti i efiqencës energjetike(gjimnazi i vjetër, konvikti dhe SH.F në Cernicë) rreth 700 mijë €; burgu i qarkut 5 milion € që ishte kontribut i qeverisjes së PDK-së; shkolla e Pasjakut rreth 1.5 milion €; ndërtesa e policisë e cila duhet të vazhdoj 600 mijë €; Mirusha pjesa e mbetur rreth 2.5 milion €.

Uji Dea

Edhe projektet e tjera të aprovuara dhe financuara nga qeveria e Kosovës dhe donatorët siç janë; asfaltimi i rrugëve të qytetit dhe fshatrave 2 milion e 400 mijë € (Ministria e Infrastrukturës); ndërtimi i objektit të qendrës rinore 500 mije € (Ministria e Kulturës); ndërtimi i shkollës së arteve pamore 2.800 mije € (Ministria e Arsimit); rregullimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Bresalc 500 mijë € (Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Zvicrës); ndërtimi i qendrës sportive mbi palestrën e sporteve 600 mijë € (EU dhe PA); ndërtimi i shtallës për mbajtjen e lopëve, pikën e përpunimit të mishit dhe qumështit dhe pikën e grumbullimit të pemëve dhe perimeve 105 mijë € (Danida); ndërtimi i urës në fshatin Pogragje te Kalaja 75 mijë €; ndërtimi i rezervarit të ujit 170 mije €; ndërtimi i objektit të SH.F “Bajram Curri” në Shurdhan.

Me këto projekte dhe të tjera del që qeverisja e PDK-së ka lënë projekte të kontaktuara prej 20 milion eurosh, të cilat duhet t`i vazhdoj kjo qeverisje në mandatin e tyre.

Me këtë fakt qeverisja e tashme ka trashëguar investime kapitale në të cilat gjatë tërë mandatit do të thirret në to e qyq do ta kenë rastin edhe për prerje shiritash gjatë inaugurimit të atyre projekteve.

Prandaj, ky pushtet poqëse ka vullnetin e qëllimin që njëmendë të punojë për qytetarinë e Komunës së Gjilanit vërtetë ka se çka të punojë sepse ajo ka projekte të gatshme të kontraktuara nga qeverisja e PDK-së të cilat kapin vlera të madha të investimeve.

PDK në Gjilan bënë thirrje qeverisjes aktuale që të ketë qasje serioze gjatë udhëheqjes me komunën, të angazhohet e punoj në shërbim të zhvillimit të Gjilanit, sepse që në fillim të mandatit kanë filluar të tregohen si udhëheqje e dobët.

PDK së bashku me qytetarët e komunë së Gjilanit do të jenë vrojtuesit e punës në qeverisjen e komunës thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/