Zeka: Asambleja e Gjilanit shembulli më i mirë i funksionimit në Kosovë

Gjilan – Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa tha se është bërë punë e mirë në këto vite, ku në qendër të vëmendjes ka qenë qytetari, të cilit i kemi shërbyer me nder. Kemi dëshmuar se jemi shoqëri e pjekur dhe e gatshme për të marrë përsipër edhe sfida tjera në të ardhmen.
Me një seancë solemne, Kuvendi Komunal i Gjilanit, e ka përmbyllë të premten agjendën 4-vjeçare të punës në këtë përbërje, kohë kjo gjatë së cilës, siç tha Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, janë mbajtur 55 seanca dhe janë miratuar mbi 300 vendime si dhe 25 rregullore të ndryshme.
Izmi Zeka, kryesues i asamblesë komunale ka falënderuar me këtë rast të gjithë vendimmarrësit, të cilët pos që kanë bërë punë të mirë gjatë këtij mandati, kanë treguar edhe një kulturë të lartë demokratike në seanca. “Ne kemi qenë shembulli më i mirë në Kosovë për mënyrën e funksionimit të asamblesë komunale”, ka thënë Zeka.
Zeka ka falënderuar edhe opozitën e cila ka qenë pjesë konstruktive e punës në vendimmarrjen komunale, me ide e alternative, ndërkohë ka kërkuar falje prej të gjithë anëtarëve, nëse ndonjërin prej tyre e ka lënduar rastësisht gjatë kësaj periudhe të punës së përbashkët.
Sa i përket punës së bërë gjatë këtij mandati, Zeka tha se në Gjilan nuk është investuar për 50 vite sa është investuar në këto 6 vjetët fundit. Zeka ka thënë se premtimet janë realizuar 80 për qind. “Do të doja që Kuvendi i ardhshëm të shkojë përtej këtyre arritjeve”, ka thënë Zeka.
Edhe kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa tha se është bërë punë e mirë në këto vite, ku në qendër të vëmendjes ka qenë qytetari, të cilit i kemi shërbyer me nder. Kemi dëshmuar se jemi shoqëri e pjekur dhe e gatshme për të marrë përsipër edhe sfida tjera në të ardhmen.
Mustafa u shpreh i bindur se kjo përbërje e qeverisjes po e përmbyllë me plot sukses misionin e saj, ku pjesë kontribuuese është gjithë shoqëria e komunës së Gjilanit. Rezultatet janë të dukshme në arsim, shëndetësi dhe administratë, fusha këto që i përkasin nivelit lokal të pushtetit, ka thënë kryetari Mustafa.
Ndërkaq, Sadudin Berisha (LDK) tha se opozita e ka bërë më të mirën e saj për interesa të qytetarëve të Gjilanit, por ka qenë edhe kritike dhe kundërshtuese ndaj vendimeve të paligjshme. Sa u përket krahasimeve se kush ka bërë më shumë, Berisha tha se kjo nuk mund të bëhet me qeverisjet e kaluara, kur ka administruar UNMIK-u, por me qeverisjet e ardhshme.
Sokol Haziri (AAK) tha se nuk është e lehtë të flasësh mirë nga pozita e një opozitari, por shtoi se AAK gjithmonë e ka pasur në rend të parë qytetarin dhe jo partinë. “Edhe kur i kemi votuar propozimet e pozitës, nuk kemi qenë me PDK-në, edhe kur kemi votuar kundër, nuk kemi qenë me LDK-në”, ka thënë Haziri.
Kurse Ejup Haziri (PDK), falënderoi të gjithë kolegët për bashkëpunim dhe shprehu dëshirën që përbërja e ardhshme të jetë edhe më e mirë se kjo.
Arben Maliqi (AKR), tha se bashkëpunimi pozitë-opozitë ka qenë konstruktiv dhe nuk është karakterizuar nga gjuha denigruese. Gjilani dëshmoi se është një qytet liberal dhe uroj që të jetë shembull edhe në zgjedhje dhe periudhën pas saj, ka thënë Maliqi./rajonipress/