Zejnullahu: Libri i Musa Sabedinit do të shërbejë si literaturë profesionale për një kohë të gjatë

Gjilan – Autori Musa Sabedini ka një përvojë të gjatë të punës së drejtpërdrejtë nga raportimi nga terreni, si në kohë pushtimi, në kohë aparteidi në median e Kosovës, në kohë lufte, në kohë të gazetarisë së kontrolluar të pasluftës dhe në epokën e internetit. Në vargun e librave hulumtues të gazetarisë, libri i autorit Musa Sabedini “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, besoj se do të shërbejë si literaturë profesionale për një kohë të gjatë ka thënë Safet Zejnullahu recensent i librit.

Libri “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, i autorit Musa Sabedini vjen në një kohë kur gazetaria ka arritur një shkallë pothuaj të paparashikuar të zhvillimit të saj, mundësuar nga përparimet kolosale të teknologjisë.

Nisur nga kjo, është e qartë se, ndërsa gazetaria po zhvillohet hovshëm dhe po ndryshon kaq shumë, ajo që duhet ta ndjekë këtë gazetari është qasja profesionale e hulumtimit dhe e analizimit të saj.

Një numër hulumtuesish në fushën e gazetarisë në Kosovë, përmes punimeve shkencore e librave profesionalë, kanë dhënë një kontribut shumë të madh në krijimin e një baze të literaturës së domosdoshme për studentët e gazetarisë, gazetarët rishtarë, por edhe për të gjithë profesionistët e tjerë dhe, sidomos, publikun e të gjitha moshave, që ka sot përballë një media krejt ndryshe nga ajo e viteve e decenieve të shkuara.

Politika, ekonomia, shëndetësia, sporti, kultura e fusha të tjera, duket se janë goditur më pak nga lloji i ri i gazetarisë që zhvillohet në kohën e internetit. Sado që edhe aty ka shumë ndryshime. Fusha më e prekur është ajo e kronikës së zezë, më dominantja në media, pas politikës, e cila përfshin të gjitha zhvillimet që lidhen me individin ose fenomenin, që nga ndodhja e një ngjarje nga kjo fushë, qoftë edhe aksident i zakonshëm, e deri te epilogu që një ngjarje nga kjo fushë merr në sallën e gjyqit.

Duket një rrugë e shkurtër dhe e thjeshtë. Por, në fakt, për individin e përfshirë është një rrugë e stërgjatë. E njëjtë është edhe për median. Për gazetarin. Sepse, çdo përmbajtje gazetareske e shkruar në këtë temë është një fushë e minuar, me mundësi të mëdha për gabime e shkelje të etikës së raportimit.

Autori Musa Sabedini ka një përvojë të gjatë të punës së drejtpërdrejtë nga raportimi nga terreni, si në kohë pushtimi, në kohë aparteidi në median e Kosovës, në kohë lufte, në kohë të gazetarisë së kontrolluar të pasluftës dhe në epokën e internetit.

Këtë përvojë ai e ka përdorur për të mbledhur brenda kopertinave të këtij libri shembuj të panumërt të gabimeve e të shkeljeve etike të bëra në media, qoftë qëllimshëm, qoftë padashtas. Një punë shumë voluminoze e autorit tregon përkushtimin e tij, pikë së pari, për të bërë vetë gazetari profesioniste, por edhe për t’u ndihmuar të tjerëve për ta bërë të njëjtën gjë. Qofshin ata gazetarë fillestarë, qofshin me përvojë.

E ata që do të përfitojnë më së shumti nga ky libër janë studentët, gazetarët e ardhshëm. Që në hapat e tyre të parë, ata do të mësojnë qasjen profesionale ndaj secilës përmbajtje gazetareske.
Më e rëndësishmja, nga ky libër do të mësojnë atë që besoj e ndihmon më së shumti një gazetar. Do të mësojnë si të mos shkruajnë!
Përmbajtja e këtij libri ua mundëson këtë.

Në vargun e librave hulumtues të gazetarisë, libri i autorit Musa Sabedini “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, besoj se do të shërbejë si literaturë profesionale për një kohë të gjatë.

Safet Zejnullahu

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS