Zbulohet pllaka përkujtimore për dëshmorin Hoxhë – Haxhi Sali Saliun

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, të dielën në Pogragjë u zbulua pllaka përkujtimore për dëshmorin e kombit, Hoxhë- Haxhi Sali Salihun i vrarë në vitin 1912 duke mbrojtur tokat shqiptare në kufi me Serbinë dhe çezma tek shkolla në emër të veprimtarit e veteranit të arsimit, Sherif Salihu.

Përfaqësues të Këshillit të Fshatit, familjarë të dëshmorit dhe kryetari i Komunës së Gjilanit dhe veteranë të arsimit, zbuluan pllakën përkujtimore e cila u ngrit në këtë 110 vjetor në nderim të dëshmorit, humanistit e arsimdashësit që luftoi për Shqipërinë Etnike.

Në emër të Këshillit Organizativ të fshatit, qindra të tubuarit në këtë manifestim i përshëndeti Shkëlqim Latifi duke theksuar se kjo pllakë përkujtimore na kujton përpjekjet dhe sakrificën e të parëve tanë për ruajtjen e trojeve shqiptare dhe njëkohësisht na motivon.

Ai tha se sot po kujtojmë dy veprimtarë të pushkës e të penës të cilët u vunë në shërbim të kombit e të atdheut, dëshmorin, humanistin e arsimdashësin, Hoxhë- Haxhi Salih Salihun dhe veteranin e arsimit, Sherif Salihun.

Për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit Hoxhë Haxhi Sali Salihu, foli imami i fshatit Ramadan Durmishi, duke kujtuar, se ai ishte një nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes shqiptare, i cili ndërtoi, mejtepin, urën, çezmën dhe mullirin për të mirën e vendit të tij.

Hidromorava

Kurse, kryetari i komunës, Qemajl Mustafa, përgëzoi pogragjasit për punën e bërë duke theksuar se kjo pllakë përkujtimore na jep porosi madhore dhe na kthen kujtesën prapa si dhe nderon luftën e këtyre tre brezave për liri e çlirim kombëtar

“Kjo sot është një orë e mirë e historisë e cila na shërben për edukim dhe na njofton për vlerat e njerëzve tanë. Ai tha se është vepruar mirë që keni marrë dy skaje, dëshmorin Haxhi Salihu i vrarë para 100 vitesh dhe veteranin e arsimit Sherif Salihu, duke i bashkuar këto dy skaje në këtë 100 vjetor”.

Ai tha se heronjtë, dëshmorët dhe gjithë tjerët që kontribuuan për çështjen kombëtare na kanë hapur rrugën që ne të ecim tutje, të edukohemi dhe të punojmë për të mirën e vendit dhe shtetit. “Haxhi Sali Salihu, është një shembull tipik dhe model për ne se si duhet të jetë atdhetari i devotshëm i cili i kontribuoi vendit në mënyra të ndryshme, madje edhe duke u flijuar”, tha Mustafa duke theksuar se Pogragja është model i bashkimit.

Në emër të familjarëve përshëndeti Alush Dalipi si dhe Yzeir Kosova stërnip i dëshmorit i ardhur nga Turqia. Fehmi Shabani ka dhënë një kronologji të kohës së luftës së fundit në këto anë.

Kurse përurimin e çezmës që mbanë emrin e veteranit të arsimit Sherif Salihu e kanë zbuluar solemnisht Izmi Zeka dhe Ahmet Isufi. Për veprën e Sherif Salihut ka folur veterani i arsimit Zejnullah Zejnullahu. Ai tha se kjo çezme do të jetë një kontribut modest për punën e madhe dhe profesionale që ka bërë për shumë vite mësuesi Sherif. “Ne sot e përkujtojmë me pietet sepse ka lënë gjurmë pozitive dhe ka edukuar, arsimuar e avancuar shumë gjenerata e breza” tha Zejnullahu./rajonipress/