Fundamenti

Zbulohet lidhja mes rrezikut të kancerit dhe gjatësisë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Një studim nga Universiteti Yeshiva i Nju Jorkut, analizoi 20 928 gra që e kishin kaluar menopauzën dhe rreziqet që u kanoseshin nga kanceri.

Studimi

Nga “The New York Times”

Një analizë e bërë mbi 20 928 gra që e kishin kaluar menopauzën, tregoi se sa më e gjatë të ishte një grua, aq më i lartë ishte rreziku për prekjen nga lloje të ndryshme të kancerit, si për shembull ai i gjirit, i zorrës së trashë dhe i lëkurës.

Zbulimi, i publikuar në “Cancer Epidemiology, Biomarkers and Prevention”, nuk pritet të ndryshojë rekomandimet për shqyrtimin e shenjave dhe as të alarmojë ato që kanë shtat të lartë.

Përkundrazi, shprehen shkencëtarët, lidhja midis gjatësisë dhe kancerit mund t’i ndihmojë kërkuesit të studiojnë hormonet dhe faktorët e rritjes, që ndikojnë në gjatësi dhe që mund të luajnë gjithashtu një rol në krijimin e kancerit.

“Ne dimë që kanceri është një sëmundje në të cilën hormonet dhe faktorët e rritjes modifikojnë gjëra”, thotë Geoffrey C. Kabat, një epidemiolog në departamentin e epidemiologjisë dhe shëndetit të popullatës në Kolegjin e Mjekësisë “Albert Ajnshtajn” në Universitetin Yeshiva të Nju Jorkut.

Gjatësia në vetvete nuk është një faktor rreziku, por ajo duket se është treguese e një ose më shumë ekspozimeve, që ndikojnë në rritjen e rrezikut të prekjes nga kanceri.

Askush nuk e di me të vërtetë përse rreziku ndaj kancerit është i lidhur me gjatësinë e madhe të trupit. Kjo mund të ketë të bëjë me hormonet dhe faktorët e rritjes që mund të nxisin si gjatësinë ashtu edhe qelizat e kancerit.

Nga ana tjetër, mund të jetë për shkak se gjatësia thjesht rrit sipërfaqen e organeve të trupit, duke sjellë një numër më të madh të qelizave në përgjithësi dhe një rrezik të mëvonshëm të kancerit.

Ndonëse studimi aktual përqendrohet vetëm te femrat, studimet e tjera kanë gjetur gjithashtu një lidhje midis gjatësisë dhe kancerit te burrat.

Eco Higjiena

Një studim arriti në përfundimin se sa më të gjatë të jenë burrat, pak më i lartë ishte rreziku për prekjen nga kanceri agresiv i prostatës.

Në maj, revista kombëtare e Institutit të Kancerit, raportoi se ndryshimi i gjatësisë midis burrave dhe grave, mund të ndihmonte për t’i dhënë një shpjegim pyetjes se përse burrat kanë një rrezik të përgjithshëm më të lartë të zhvillimit të kancerit në organet joseksuale, si për shembull mushkëri dhe veshka.

Ky studim, që ekzaminoi 65 000 burra dhe gra, tregoi se ndryshimi i gjatësisë mes dy gjinive, mund të shpjegojë rritjen me 30-40 për qind më shumë të rrezikut të prekjes nga kanceri te burrat.

Gjatësia mund të ndikohet nga një numër i madh faktorësh përtej gjenetikës. Sasia dhe lloji i ushqimit të konsumuar në fëmijëri, mund të ndikojë në gjatësi dhe mund të luajë një rol në rritjen e rrezikut nga kanceri.

Qarkullimi më i lartë i një proteine të quajtur insulinë, si faktor i rritjes, mund të influencohet nga faktorë si ushtrimet, stresi, metabolizmi dhe ushqimi. Kjo proteinë është gjithashtu e lidhur me gjatësinë dhe rrezikun nga kanceri.

Të dhënat për analizat më të fundit u mblodhën nga “Iniciativa e shëndetit të grave”, studimi më i madh i kryer ndonjëherë te gratë që e kanë kaluar menopauzën.

Studiuesit identifikuan 20 928 gra, të cilat ishin diagnostikuar me kancer gjatë periudhës 12-vjeçare të studimit. Të dhënat e paraqitura përfshinin jo vetëm gjatësinë e pjesëmarrësve, por edhe moshën, peshën, edukimin, vesin e duhanpirjes, konsumimin e alkoolit dhe çfarëdo që ato kishin përdorur në terapitë e hormoneve.

Kjo i lejoi shkencëtarët të kontrollonin për faktorë të tjerë që mund të kishin ndikuar në shtimin e rrezikut nga kanceri dhe për të përcaktuar fuqinë e lidhjes mes kancerit dhe gjatësisë.

U zbulua se për çdo 10.16 centimetra ndryshim në gjatësi, ekzistonte 13 për qind mundësi e rritjes së rrezikut për zhvillimin e çdo lloji të kancerit.

Llojet e kancerit që ishin më shumë të lidhura me gjatësinë ishin kanceri i veshkave, i zorrës së trashë, i tiroideve dhe i gjakut. Rreziku i prekjes nga këta kancerë rritej me 23-29 për qind për çdo 10.16 centimetra gjatësi./shqip/