Zbogar: Të dënuarit e Tribunalit, e vuajnë dënimin jashtë Kosovës

Të dënuarit eventualë nga Gjykata Speciale, që pritet të themelohet, do ta vuanin dënimin jashtë Kosovës dhe për këtë vendi pritet të nënshkruajë shpejt marrëveshje me Holandën.
Ajo që do t’i dekretojë përfundimisht gjyqtarët e prokurorët ndërkombëtarë të kësaj Gjykate do të jetë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Detajet i ka dhënë në emisionin Interaktiv të KTV-së shefi i BE-së, Samuel Zhbogar, i cili insiston se Gjykata Speciale do të merret ekskluzivisht me raportin e Dick Martyt.
Sipas tij, refuzimi i mundshëm i Kuvendit mund të dëmtojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-se, duke e çuar krijimin e gjykatës në OKB.
“Prokurorët e gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë. Kështu ishte propozimi ynë. Dhe proceset e ndjeshme do të ndodhin jashtë, ndërsa dënimet dhe vuajtja e burgimit do të bëhen jashtë Kosovës. Këto janë elemente që për ne e bëjnë procesin e besueshëm dhe besojmë se këtu përfshihet edhe dënimi jashtë vendit, andaj dikush që akuzohet ose shpallet fajtor në gjykatë do të shërbejë dënimin ashtu.
Nuk është vendosur ende por po flasim me Holandën. Dhe Kosova duhet të nënshkruajë një marrëveshje speciale me Holandën sepse do të jenë gjykatat e Kosovës që do të kenë disa procese në atë shtet dhe mund të jetë edhe ndonjë shtet tjetër.”
Zhbogar ka thënë se do të duhej një marrëveshje bilaterale me Holandën para se të themelohet gjykata.
Ndërkohë i dërguari special i Gjermanisë për Evropën Juglindore Ernst Reichel në një intervistë për RTK thotë se nëse Kuvendi nuk e mbështetë këtë Gjykatë ky vendim do t’i dërgonte mesazh botës se Kosova ka frikë nga drejtësia dhe dëshiron ta pengoj atë.