Zbogar: S’ka data për në BE, plotësoni kriteret
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të Kosovës, Evropa është e bashkuar plotësisht, pavarësisht dallimeve të kuptueshme për statusin e Kosovës. Megjithatë ai thotë se ende ka shumë për t’u bërë.
Ai ka thënë se miratimi i standardeve evropiane është vendimtar.
Kjo sipas tij është arsyeja pse BE-ja po ofron ndihmë nëpërmjet projekteve të binjakëzimit, praktikat më të mira dhe ekspertëve.
Kurse, sa i përket MSA-së, ai ka thënë se pasi të nënshkruhet, MSA do të jetë marrëdhënia e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.
“Kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të Kosovës, Evropa është e bashkuar plotësisht në këtë temë, pavarësisht dallimeve të kuptueshme për statusin e Kosovës. Por ka shumë për t’u bërë, natyrisht. Një nga gjërat më të rëndësishme për Kosovën është që të mësojnë të jetojnë së bashku dhe të pranojnë dallimet, qoftë kombëtare, gjuhësore, fetare apo ndonjë tjetër. Për Kosovën kjo do të thotë që të respektojnë komunitetet. Kjo është vlera kryesore e BE-së, pjesë e së cilës Kosova aspiron të jetë”, ka thënë Zbogar.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë ka përmendur edhe një anketë të qytetarëve ku 79 % e qytetarëve të Kosovës thanë se do të votojnë “po” në referendumin për t’u bashkuar me BE-në.
“Vizioni dhe vullneti i qytetarëve janë këtu. Por në të njëjtën kohë, pritjet e tyre u bënë më realiste: ata e dinë shumë e më shumë se ky është një proces i bazuar në merita, dhe se ka ende shumë punë për t’u bërë. Ne nuk mund të japim data të sakta, por ne mund, së bashku me palën kosovare, të punojmë në udhërrëfyes të saktë dhe piketa të cilat do të çojnë integrimin në drejtimin e duhur, duke hequr një pas një barrikadat në këtë rrugë për në BE. Kjo është rruga që ka rëndësi më shumë se vetë qëllimi. Për shkak se nga udhëtimi në këtë rrugë Kosova do të ndryshojë për të mirën e popullit të saj”, ka vlerësuar Zbogar.
Ai gjatë një interviste për Ballkanin e Evropës Perëndimore ka thënë se një nga rezultatet e prekshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ishte po ashtu edhe emërimi i dy oficerëve të zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë dhe Kosovës në Beograd. /KP/


