Zamparini ka besim në Ujkanin
Palermo – Presidenti i skuadrës së Palermos, Maurizio Zamparini, është i lumtur që tifozët e ekipit të tij po e mbështesin portierin kosovar, Samir Ujkani.
Ai ka thënë se tek Ujkani gjithmonë ka pasur besim, edhe kur ai nuk ka qenë në formë të mirë. Ujkani së fundi ka qenë titullar në çdo ndeshje te Palermo, pasi portieri i parë i ekipit është i lënduar. “Nuk mendoj se i kemi dy portierë të mirë, por jam i lumtur që tifozët e Palermos janë sërish me Ujkanin, pasi gjithmonë kam besuar se ai është portier i mirë dhe gjithmonë kam besuar në të”, ka thënë Zamparini të premten në një intervistë për “gds.it”.
Ujkani 25-vjeçar me fanellën e Palermos që garon në Serie B ka luajtur tetë ndeshje. Me Palermon ka kontratë deri në fund të këtij edicioni.


