Fundamenti

‘Zajednica’ mund t’i rikthejë tensionet

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Derisa Qeveria e Kosovës po e pret mesin e muajit dhjetor për finalizimin e bisedimeve në Bruksel dhe marrjen e Kodit telefonik për Kosovën, me pëlqimin e palës serbe, nga ana tjetër po përgatitet që në këmbim të këtij “kompromisi” nga pala serbe të fillojë hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa pajtim paraprak me opozitën.

Marrëveshja ishte vlerësuar në kundërshtim me frymën kushtetuese

“Ky proces gjithmonë është zhvilluar në mungesë të transparencës, prandaj konsideroj se duhet patjetër të formohet grupi i unitetit për këtë temë dhe për temat e tjera të dialogut me Serbinë”, ka potencuar analisti Blerim Burjani

Derisa Qeveria e Kosovës po e pret mesin e muajit dhjetor për finalizimin e bisedimeve në Bruksel dhe marrjen e Kodit telefonik për Kosovën, me pëlqimin e palës serbe, nga ana tjetër po përgatitet që në këmbim të këtij “kompromisi” nga pala serbe të fillojë hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa pajtim paraprak me opozitën. Por, një veprim i tillë i Ekzekutivit mund të rikthejë përsëri tensione të reja në skenën politike në vend, ngase opozita, përveçqë e ka kundërshtuar që në fillim Marrëveshjen e Asociacionit, pas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, këtë marrëveshje e konsideron krejtë- sisht të pavlefshme.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha për “Kosova Sot” se subjektet politike opozitare, AAK dhe Nisma, që kanë një marrëveshje për koalicion të përbashkët parazgjedhor në zgjedhjet e radhës, nuk janë të njoftuara për këtë plan të Qeverisë së Kosovës dhe si i tillë ai është një veprim që do të hasë në kundërshtimin opozitar, sikur që ka ndodhur edhe me demarkacionin. “Ne e konsiderojmë Asociacionin si një projekt krejtësisht të dështuar për shkak se Gjykata Kushtetuese gjatë vlerësimit të kushtetutshmërisë së marrëveshjes së arritur në Bruksel, ka konstatuar shkeljen e 23 neneve të Kushtetutës së shtetit të Kosovës, prandaj as edhe një korrigjim që mund t’i bëhet asaj marrëveshje, as atij asociacioni tani nuk mund t’i bëhet, sepse me përmbajtjen e versionit të parë është dëmtuar rrënjë- sisht esenca e marrëveshjes, që konstatohet nëpërmes vendimit dhe vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, tani tentimi sërish i qeverisë për ta kontrabanduar Asociacionin është një dëmtim serioz i interesit shtetëror të Kosovës”, theksoi Isufi.

Mobi Casa

Anulimi nuk ka pengesa

Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, ka vlerësuar se riaktualizimi i Asociacionit nga ana e Qeverisë, që po planifikohet të ndodhë pas marrjes së Kodit telefonik, si formë këmbimi, mund të jetë një shkelje e rëndë e Kushtetutës së vendit, ngase vetë Gjykata Kushtetuese e ka zhvlerësuar këtë marrëveshje, e cila sipas Kelmendit edhe ligjërisht nuk është obligative, derisa nuk ratifikohet nga Kuvendi, prandaj të tillat, edhe ajo për Asociacionin, duhet të anulohen.”Marrëveshjet që nënshkruhen munden parimisht edhe të anulohen. Asnjë e tillë që ka subjektivitet të jashtëm nuk futet në veprim, pra nuk fuqizohet pa aprovimin e tyre në Parlament. Në shumë vende, marrëveshjet e tilla diskutohen paraprakisht dhe pas nënshkrimit ratifikohen në Parlament. Në nenin 65 të Kushtetutës së Kosovës, pika 5, qëndron se marrëveshjet ndërkombëtare futen në zbatim vetëm me ratifikim në Kuvend. Fakti se jemi të njohur si shtet dhe e kemi shpallur pavarësinë e shtetit jep për të nënkuptuar se çdo marrëveshje e jashtme është marrëveshje ndërkombëtare. Ndërsa, nëse një herë vendoset në Kuvend dhe ajo ndryshon në përmbajtje, konsiderohet si marrëveshje e re dhe i nënshtrohet ratifikimit. Pra, edhe anulimi i tyre nuk ka pengesa”, shpjegoi Kelmendi. “Pikërisht Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është një autonomi e gjerë për minoritetin serb. Për këtë, në një raportim të gazetës gjermane “Die Welt” te RFGJ shkruhet se Asociacioni në Kosovë po e krijon një autonomi të gjerë me elemente të shtetit, ku Kosova po shndërrohet në një model të Bosnjës e Hercegovinës”, theksoi më tutje ai.

Propozohet ekip uniteti

Analisti politik dhe njohësi i fushës së legjislacionit, Blerim Burjani, thotë se në rast se Qeveria vendos që ta zbatojë këtë marrëveshje, të fillojë ta hartojë statutin e asociacion bazuar në interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, atëherë mund të evitohen edhe ato zgjidhje që janë vlerësuar kundërkushtetuese, por në këtë proces do të duhej inkuadruar me përgjegjësi të barabartë edhe subjektet politike opozitare, respektivisht përfaqësuesit e tyre në cilësi të ekspertëve, jo atë ta lërë në mëshirën e përfaqësuesve të komunitetit serb. “Ky proces gjithmonë është zhvilluar në mungesë të transparencës, prandaj konsideroj se duhet patjetër të formohet grupi i unitetit për këtë temë dhe për temat tjera të dialogut me Serbinë”, ka potencuar Burjani.

Sipas tij, grupi i unitetit duhet të ketë ekspertë, të cilët duhet të ofrojnë propozime përderisa pjesa politike, pra partitë në grupin e unitetit, duhet të nxjerrin vendime.”Për të ndodhur kjo duhet të shuhet e ashtuquajtura Ministri për Dialog, që është sa për sy faqe, dhe nuk ka pasur asgjë në kompetencë, por vetëm ka pasur shumë ekskursione dhe shëtitje Bruksel-Prishtinë, pa ndonjë efikasitet pozitiv, derisa i janë bërë shumë dëme të pakuptimta pozicionit të Kosovës në këto bisedime totalisht të pabarabarta”./kosova sot/