Hidromorava

Zahiri u vra, sepse rrodhën informacione nga UÇK-ja

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit dhe ish luftëtari i UÇK-së në Zonën e Operative të Llapit, Avni Ajeti thotë se vrasja e Zahir Pajazitit ndodhi për shkak se informacionet për aktivitetin e tij rrodhën nga UÇK-ja. Ai i bën thirrje Nait Hasanit të flasë për vrasjen e Zahir Pajazitit, duke hedhur dyshimet se informacionet për aktivitetin e Zahirit mund të kenë rrjedhur nga ai.

Në një intervistë të gjatë për Standardi.info, Ajeti tregon se si po keqpërdoren vlerat e luftës dhe se ish –udhëheqës të saj, në emër të luftës u pasuruan. Ai flet edhe për vrasjen e Ilir Konushevcit, të cilën e lidh me FARK-un.

Thotë se UÇK-ja kishte buxhet, jo miliona, por miliarda, që janë keqpërdor nga njerëzit që sot udhëheqin me pushtetin. Veteranët dhe aplikimet po shfrytëzohen për pazare politike. Nuk pajtohet me kritikat e Demaçin i cili kohë më parë kishte thënë se llapjanët i kanë ikur luftës. Tregon se si ndaj tij dy herë është bërë atentat.

Më poshtë mund a lexoni të plotë intervistën me Avni Ajetin:

Pse kanë aplikuar kaq shumë për ta marr statusin e veteranit të UÇK-së?

Po dikush e ndien si mungesë që s’ka arrit ta japë kontributin e vetë për këtë vend dhe tash provon të barazohet me të tjerët që kanë luftuar.

A kanë aplikuar shumë edhe në zonën e Llapit, sikur në zonat tjera?

Në Zonën e Llapit, sepse jam kompetent të flas, rreth aplikimit të veteranëve, mundemi të flasim se kanë qenë në luftë rreth 2 mijë ushtarë, mos të themi 1 mijë e 800, afër 2 mijë. Tash kanë aplikuar rreth 4 mijë.

Pse ky numër kaq i madh?

Po dikush ka deshtë të tregohet patriot, siç kemi raste pas lufte që kanë nxjerr libreza të lloj- llojshme, kanë falsifikuar… Tash të shprehem pak ma popullorçe. Kur ka qenë koha të hahet pasuli kokrra- kokrra, dikujt s’ia ka hanger me dal në front, e tash dalin edhe përfitojnë do matrapaz, e do njerëz që as erën e barutit nuk e dinë.

A ka pasur manipulime me libreza të veteranëve?

Shumë. Kur them shumë, e them me përgjegjësi.

Edhe nga organizatat e UÇK-së?

Edhe organizatat, faktikisht, sepse organizatat e veteranëve në nivel vendi janë dirigjuar nga politike.

Prej kujt konkretisht janë dirigjuar, a keni ndonjë emër?
Ajo dihet…

A është keqpërdor UÇK-ja pas lufte?
Shumë, shumë… Më së pari nga udhëheqësit kryesor. Këta ‘liderët’ politik dhe një pjesë e eprorëve. Janë pasuruar në emër të dëshmorëve, në kurriz të UÇK. Mundemi me fol në shumë e shumë raste.

A po na e përmendi një emër kush është pasuruar?

Po, duke filluar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafës, edhe ata njerëz që i ka pasur si vegël. Rrustem Mustafa mendoj që është manipuluar nga eprorët, një pjese, sepse nuk mund të them nga të gjithë.

Mustafa ka qenë një djalë i mirë, po e mashtruan, se i ra parja për dore. Ai ka pas qejf me kanë shumë si epror, por kurrë s’ka qenë. E pas lufte kur ka dal në Prishtinë, Rrustem Mustafa ka qenë yll, sepse djemtë e Llapit e kanë kryer luftën me shumë sukses dhe krejt kontributin e atyre djemve që sot sillen rrugëve, Rrustem Mustafa e ka përvetësuar dhe është thirr në emër të të gjithëve. Madje është thirr edhe në luftën e Zahir Pjazaitit. Edhe s’kam dëshirë të merrem me të sepse për mua nuk ka vlerë.

Kthehemi edhe një herë te aplikacionet. A do të pranohet të gjitha?

Nëse i konvenon dikujt politikisht i pranojnë. Kjo kryekëput është politik, sepse tash kanë filluar edhe me rajone të ndahen, kush sa ka luftuar më shumë e kush më pak, e kush ka më shumë veteran…

Pasi ke qenë bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit, sa revole i ka pasur? Sepse shumë komandant thonë që e kanë revolen e Zahirit.

Unë e kam fatin edhe e kam një. Një e ka pas Ramushi (Ramush Haradinaj), gjatë luftës, tash ia ka kthyer familjes së Zahirit. Zahiri nuk ua ka dhënë atyre revole, as Ramushit e askujt, por Remi ua ka dhanë, për me tregu që ai ka qenë kinse ma i afërti me Zahirin. Unë flas për një revole që faktikisht ma ka lënë si amanet Zahiri…

Adem Demaçi tha para disa ditësh që Llapianët i kanë ikur luftës?

-Është fat që e kemi në mesin tonë, por edhe Adem Demaçin s’e ka shti askush me zor të bëjë për këtë vend, e ka bërë me vetëdije të plot… Le të kujtohet Adem Demaçi se Llapi ka pas Afrim Zhitin, Ali Ajetin, Hasan Ramadanin… Pse është hidhëruar në Llapjan unë nuk e di. Po ja kujtoj edhe një Ilir Konushevcin që e ka marr përgjegjësin e organizimit e të gjithë logjistikës së UÇK-së dhe Llapjanët kanë qenë promotori i luftës së UÇK-së.

ARKATANA

Përmendët Ilir Kunushevcin. Vrasja e tij është ende e pa sqaruar?

14 vjet pas lufte, para pak kohe e festuam 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. U përmendën shumë heronj, nëse veç pak këto dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, i vlerësojnë kaq shumë heronjtë, ata që kanë gjuajtur mbi Ilir Konushevcin dhe të tjerët, duhet t’i gjejnë dhe t’i kapin. Unë mendoj që dikujt vrasja e Ilir Konushevcit nuk i konvenon të zbulohet, e edhe shumë vrasjeve tjera. Po e them që ai njeri që ka shti mbi Ilir Konushevcin dheu brenda mos e lasht.

Është folur edhe shumë për vrasjen e Zahir Pjazitit. Thuhet që është qitur në prit, ka versione të ndryshme?
Po normalisht një gueril ka qenë Zahiri dhe ai ka lëvizur tërë kohën. Për vrasjen e Zahir Pjazitit mund të flet Nait Hasani.

Pse çka dinë Nait Hsani?

Po Nait Hsani është kap ma herët nga sigurimi shtetëror i Serbisë atë kohë. Është arrestuar. Naiti, Zahirin nuk e ka njohur me emër, Naiti e ka njohur Zahirin me pseudonimin Ismet. Ka njerëz që kanë pasur lidhje edhe me Naitin edhe me grupin tonë.

Të sqarohemi edhe një herë. A ka rrjedhur ndonjë informacion nga strukturat e UÇK-së për Zahirin?

Faktikisht po. Diçka ka rrjedhur.

Çka ka lidhje Naiti?

Po në rend të parë Nait Hsani duhet të kërkojë përgjegjësi për veten e tij, se kush e ka zbuluar. Unë i bëj thirrje Nait Hasanit publikisht që të tregoj kush e ka zbuluar, sepse Naiti ka qenë koordinator i shtabit qendror të UÇK-së. Dhe ai ka pasur punë me shumë njerëz që i kanë futur në strukturat e UÇK-së me CV të dyshimta dhe të pafiltruara dhe me biografi të dyshimtë.

Kanë qenë strukturat e përziera që janë munduar të udhëheqin nga perëndimi, dhe kanë qëndruar në Hotel Tirana e janë munduar ta udhëheqin luftën dhe nuk ua ka marrë mendja t’i qesin dy hapa që të futen në luftë. E as nuk ua ka marr mendja që ta ngarkojnë kalin apo gomarin e t’i mësyhen bjeshkës për ta kaluar kufirin.

Po roli i FARK-ut cili ka qenë?

Tash po dal te vrasja e Ilir Kunushevcit. Shteti dhe organet duhet që ta studiojnë rastin e vrasjes së Ilir Konushevcit në Shqipëri, Ahmet Krasniqit në Tiranë, Agron Rrahmanit në Prishtinë, Bahri Fazliut në Plavë. Këta njerëz sot duhet ta gjejnë këtë trekëndëshin që kujt nuk i ka konvenuar që të mos funksionojë mirë ushtria dhe të mos jetë e bashkuar qysh i ka hije një populli.

Pse e lidhe FARK-un me Ilir Konushevcin dhe vrasjet tjera?

Sepse Ilir Konushevci ka qenë njeriu kryesor që nëpërmes tij kanë hyrë njerëz dhe armatimi në Kosovë… Këtu është në pyetje pse për 3 javë këta njerëz janë eliminuar. Unë mendoj se armiku kaq shpejt nuk mund të veprojë në zemër të njerëzve që donë të bashkohen…

Financat e UÇK-së a janë keqpërdor?

Shumë, shumë janë keqpërdor. Nga përgjegjësit, nga njerëzit që i kanë pasur nëpër dorë.

A ka bërë kush ndonjë përllogaritje sa pare i ka pasur UÇK-ja nëpër duar, a ke ide sa është shuma?
Shumë ka pasur pare, miliarda.

Miliarda?

Po, po, miliarda. Një miliard e 2 miliardë shkon. Shumë e vërtet është, sinqerisht. Krejt duke iu falënderuar diasporës.

Ku mbetën gjithë ato para?

Veç kush është qorr e nuk sheh, se tash po shihen. Kush është futur në biznes, kush ka ndërtuar rrokaqiej. Qita njerëz që e udhëheqin politikën.

Ai ushtar, e ai epror që ka ardhur të luftojë për vend të vetin do të mbetet tërë jetën ushtar, e ai që ka ardhur të plaçkit, do të mbetet plaçkë dhe vetëm plaçkë tërë jetën.

Është bërë atentat dy herë ndaj teje. A e dini nga kush?
Unë sot asaj dite nuk e di. Unë i bëj apel publik nëse dikujt i kam borxh, o moralisht, o financiarisht, le të më lajmërohet unë ia kryej. Nuk dua të spekuloj, por unë kam informacione aq shumë sa dikujt- dikujt, disa njerëz që çirren dhe thirren në emër të luftës do t’i zhvlerësojë, do t’i devalvojë si dinarin e keq.

Por në këtë moment pa vlerë, vetëm rrena ka vlerë. Pse është krijuar situata kështu nuk e di, me një fjalë është përzier bora dhe balta. Kur të vjen koha kur t’i thonë borës, borë e bardhë dhe baltës, baltë e zezë atëherë do të definohen gjërat. /Standardi.info/Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.