RCCOLA

“Z-Mobile” zapton tregun e “Valës” dhe “IPKO”-s

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Operatori virtual “Z-Mobile” po ua merr tregun dy operatorëve nacionalë të telefonisë mobile “IPKO” dhe “Vala”. Në fund të vitit që lamë pas, operatori i telefonisë mobile “Vala” ka pasur 64 për qind të tregut, operatori “IPKO” ka pasur 26,10 për qind të tregut, operatori virtual “D3” ka pasur 0,9 për qind të tregut, si dhe operatori tjetër virtual “Z-Mobile” ka arritur që ta zaptoj 9 për qind të tregut të përgjithshëm të telefonisë mobile në vend.

Sipas raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP) të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se gjatë pesë viteve të fundit si operatori i telefonisë mobile “IPKO”, ashtu edhe dhe “Vala” kanë pasur rënie të vazhdueshme të tregut.

Në fund të vitit 2009 “IPKO” ka pasur 31,11 për qind të tregut të telefonisë mobile, derisa “Vala” ka pasur rreth 67 për qind, ndërkaq pjesën tjetër të mbetur e ka pasur në dispozicion operatori virtual “D3”, shkruan Zëri.

Më tej në raportin vjetor të ARKEP-së thuhet se numri i përdoruesve të telefonisë mobile deri në fund të vitit 2012, ka arritur në 1,663,844 përdorues, shifër kjo që shënon rritje prej afro 12.5 për qind në krahasim me vitit e kaluar 2011, ku kishte 1,478,944 përdorues. Ndërsa, nëse e krahasojmë vitin 2012 me vitin 2010, përqindja e rritjes është edhe më e madhe, pra 14,6 për qind.

Më tej në raport thuhet se të ardhurat totale nga ofrimi i shërbimeve te telefonisë mobile nga të katër operatorët mobilë gjatë vitit 2012 janë 188.2 milionë euro, e të cilat shënojnë një rënie prej rreth 5,54 % në krahasim me vitit paraprak 2011, kur të ardhurat ishin rreth 199.2 milionë euro, apo një rritje prej 3,85 për qind në krahasim me vitin 2010.

Eco Higjiena

“Trendi i të ardhurave të telefonisë mobile në periudhën 2007-2012, ku mund të vërehet trend pothuajse rritjes të të hyrave, përveç vitit 2012 krahasuar me vitin paraprijës të të ardhurave e këtij segmenti të tregut kanë shënuar një rënie të lehtë”, thuhet në raport.

Më tej në raport thuhet se struktura e përdoruesve të telefonisë mobile në raport ndërmjet përdoruesve me parapagim dhe atyre me kontratë edhe në vitin 2012 vazhdon të jetë e qëndrueshme. Numri i përdoruesve me kontratë ‘post-paid’ në raport me numrin total të përdoruesve mbetet shumë i ulët me rreth 5,09 % të numrit të përgjithshëm, ndërsa 94,91 % e përbëjnë përdoruesit me parapagim.

Sipas raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare në vitin 2012 nga rrjetet mobile janë origjinuar 1.56 miliard minuta, e cila përbën një rritje prej 2 për qind në krahasim me vitin 2011.

“Vërehet se trafiku brenda rrjetit ka vazhduar me të njëjtin ritëm edhe vitin 2012, ku thirrjet brenda rrjetit përbëjnë 91,75 % të thirrjeve të origjinuara nga përdoruesit e telefonisë mobile. Kjo vlerë e trafikut brenda rrjetit rezulton të ketë ardhur si rezultat i ofertave dhe programeve të shumta tarifore që ofrojnë thirrje brenda grupeve me tarifa shumë të ulëta, kurse thirrjet drejt numrave gjeografikë dhe thirrjet ndërkombëtare përbëjnë një pjesë shumë të vogël të thirrjeve dalëse”, thuhet në raport. /Indeksonline/