ARKATANA

Ymeri: Vetëvendosje do të jetë zëri i Kosovës së nëpërkëmbur

/ 12 minuta lexim
GRANDEMALL

Visar Ymeri, fjalimin e tij në prezantimit të kandidaturës, planit dhe angazhimit të tij për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje e ka nisur me shpërnguljen masive të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre për në Gjermani e Francë, Austri e Zvicër, përmes Serbisë e Hungarisë.

Këtë e ka cilësuar si shënjues të kësaj kohe në të cilën jemi dhe të cilën duhet ta lëmë pas.

“E ardhmja e këtyre qytetarëve në asnjë mënyrë nuk mund të quhet e ardhme e mirëqenies, edhe nëse në rastet individuale, pavarësisht a janë këto shumë a pak, u përmirësohet cilësia e jetës. Mirëqenia është e lidhur ngushtë me lirinë. Nuk ka mirëqenie pa liri, e as liri nëse kjo nuk është liri për të qenë mirë. Shpërngulja është shpërngulje nga shtrëngimi e jo nga liria. Është lëvizje e detyrueshme, e rrezikshme e aspak e lirë”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, pushtetarët e pasur i akuzuan këta qytetarë të varfër se po e lëshojnë vendin, sepse po kërkojnë një jetë më të mirë.
“E artikuluar në këtë mënyrë, shpërngulja masive fillon të merr fytyrë normaliteti, mirëqenie dhe lirie. Si e tillë ajo nuk mund të jetë brengosëse, por përkundrazi e këshillueshme. Sepse, ma gjeni një njeri në tërë globin që nuk e kërkon një jetë më të mirë. Dhe ma gjeni një mbështetje politike a morale, që i jep të drejtë tjetrit ta pengojë atë që kërkon një jetë më të mirë”, ka thënë Ymeri.

Por, e vërteta nuk është kështu, thotë ai.
“Qytetarët nuk është se po shpërngulen në kërkim të jetës së mirë. Në të vërtetë, shumica prej tyre po përfundojnë në një jetë më të keqe. Sepse jeta në burg, apo kamp azilkërkuesish, nuk mund të jetë më e mirë sesa jeta në shtëpinë tënde, në shoqërinë tënde, pranë atyre që i do dhe të duan. Të shpërngulurit po shpër – ngulen. Ata po çrrënjosen nga rrënjët e veta shoqërore e ekonomike. Ata mbase edhe presin se do t’i ngulin ato diku tjetër, por në momentin e vendimit e kanë vetëm një gjë në mendje – ikjen nga këtu. Ky është akti i tyre i revoltës. Definitivisht jo mënyra e duhur e shprehjes së revoltës, por revoltë gjithsesi po”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se në vazhdën e vizitave të Jahjagës nëpër qytetet e Kosovës, për të folur për shëprnguljen, një qytetar i Gjilanit e përmbledhi kërkesën që mendoj se është e shumicës së qytetarëve. Ai e pyeti Jahjagën: si u bë që për qytetarët nuk po ka para e për rrogat tuaja po.
“Një specialist ekonomie i zhytur në tabelat e statistikat e pafundme të zhvillimeve ekonomike, të konvertuara në financa, me cinizmin e pashmangshëm të kësaj mënyre të të menduarit do ta hidhte poshtë këtë thënie të këtij qytetari automatikisht. Sepse do të thoshte se kjo nuk ka kuptim kur e marrim parasysh se pagat e zyrtarëve të lartë në Kosovë, pavarësisht sa të mëdha janë, janë megjithatë pak në shumën agregate, sepse zyrtarë me paga të mëdha lartë ka pak, krahasuar me shumësinë e njerëzve dhe të nevojave poshtë. Por qytetari Gjilanit, e ai i Kosovës, nuk mendojnë si ky ekonomisti vetëm matematikisht. Ata mendojnë politikisht dhe sociologjikisht. Shprehur kështu, fjalia e mësipërme e qytetarit nga Gjilani përmblidhet në vetëm një fjalë: Barazi. Kjo është kërkesa – shpërndarje e barabartë e pasurisë, e të ardhurave, dhe e të mirave publike. Aq sa ka le të ketë për të gjithë”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se kjo kërkesë nuk ndalet vetëm te pagat, por te i tërë spektri i shërbimeve që duhet ta ofrojë shteti. Sepse, sipas tij, shpërndarje të pabarabartë ka në secilin sektor.
“Për ta përdorur fjalinë e qytetarit të Gjilanit: Si u bë që për dikë po ka shumë të drejta e për dikë aspak drejtësi? Si u bë që për dikë po ka shërim efikas e për të tjerët jo? Si i bëhet që për dikë ka arsim efektiv e për të tjerët jo? Si i bëhet që disa e zgjedhin gjellën e të tjerët nuk e kanë të mjaftueshme as bukën? Disa e përdorin një burim uji për pastrim e tjetrin për pije, e të tjerët nuk e kanë asnjë burim për pjesën më të madhe të ditës. Disa kanë rrymë 24 orë e të tjerët vetëm 4 gjatë ditës. Disa i marrin nga 5 rroga e të tjerët as ndihma sociale. Kjo e ndan shoqërinë në dysh, dhe si të tillë krijon një gjeografi të re krahas asaj territoriale gjeografinë shoqërore. Në të janë dy Kosova. E epërmja dhe e poshtmja. Meqenëse e ndarë vertikalisht kjo është e pabarabartë. Nga kjo pabarazi po ik qytetari. Dhe këtë pabarazi po don ta ndryshojë qytetari”.

Ai ka thënë se kjo është politika, dhe do të mbetet politika e Vetëvendosjes. “Ne nuk jemi të ndryshëm pse jemi të pakorruptueshëm dhe vetëm pse jemi të pakorruptueshëm. Ne jemi të pakorruptueshëm për shkak se jemi të ndryshëm, për shkak se mendojmë ndryshe, angazhohemi ndryshe dhe për ndryshim, duam dhe vlerësojmë gjëra tjera prej atyre që i duan partitë politike në Kosovë. Ne nisemi nga e mira e përgjithshme, nga parimi bazë i Republikës që e ka barazinë në pikënisje dhe e mbanë atë vazhdimisht si pikësynim, për ta reflektuar atë në secilin vendim të vetin, në secilin zhvillim, e në secilën ditë e kohë të saj. Ky parim është i pakorruptueshëm, sepse edhe kushtëzohet nga e mira e përgjithshme, kundrejt përfitimit personal, por edhe e kushtëzon aktivitetin politik kundrejt dhe përtej përfitimit personal”, ka thënë Ymeri. “Dhe këtu jemi një me popullin. Jo me popullatën, e aq më pak me secilin pjesëtarë në të, por me popullin e angazhuar politikisht. Me popullin e protestës dhe të ndryshimit. Edhe ky në rritje. Ky shenjues i kohës që po vjen. Në të njëjtin moment me rritjen e numrit të qytetarëve që po e lëhojnë vendin, po rritet edhe numri i qytetarëve që po dalin në protesta. Pavarësisht se mund të duket paradoks empirik, ky është moment i rëndësishëm politik. Është momenti sovran i qytetarit, sepse të dyja nënkuptojnë ngjizje të qytetarit të aktit, dhe të aktit të të bërit popull. Të dyja po thonë se kështu nuk durojmë më”, ka shtuar më tej ai.

Uji Dea

Koalicioni i të djathtëve në pushtet nuk e duan këtë kohë, sipas Ymerit. Atyre nuk u pëlqen kur Kosova e poshtme lëviz. Ata e duan Kosovën e poshtme statike, të atomizuar e të pa zë, dhuruese e të mirave materiale, e pranuese e vendimeve të tyre, të dinamikës në Kosovën e epërme.
“Prandaj përgjigja e tyre për secilin problem është policia, sepse duan ta mirëmbajnë këtë statikë të eksploatueshme përherë. Migrimin duan ta ndalin me polici, merren vesh me Serbinë që të ndihmojë në këtë drejtim. Protestat duan t’i ndalin me polici, i armatosin dhe ushqejnë mirë për këtë qëllim”, ka thënë Ymeri. “Këta do të vazhdojnë kështu për sa kohë që janë në pushtet: ta koncentrojnë pasurinë në pak duar përmes tatimeve të sheshta, privatizimit e uzurpimit të pasurisë publike, koncesionimit të minierave, orientimit të parasë publike në projekte super të shtrenjta kapitale, në korporatat e huaja. Këta do të vazhdojnë t’ia shkelin dinjitetin punëtorit përmes rritjes së hapësirës eksploatuese të tij, nga cilido punëdhënës, në cilindo sektor të afarizmit. Këta do të vazhdojnë ta rrisin hapësirën përfituese për bankat, e hapësirën uzurpuese për bizneset e tyre private, familjare, miqësore e financuese. Këta do të vazhdojnë ta nëpërkëmbin dinjitetin e shtetit e të qytetarit, përmes nënshtrimit politik ndaj Serbisë, e komprador ndaj tregtisë. Qytetarin në shpërngulje këta nuk e dëgjojnë, e as vizitojnë”, ka shtuar më tej ai.

Kryetari i ardhshëm i LVV-së u ka thënë të pranishmëve se duhet të organizim dhe lidhje me Kosovën e poshtme.

“Për këtë na duhet ta vazhdojmë krijimin dhe zgjerimin e një hapësireje të pavarur politike e ideore. Dhe kur them kështu nuk mendoj në ndarje fizike, por në pavarësi idesh, organizimi dhe veprimi politik. Në mënyrë që artikulimi individual i kërkesës për barazi të bëhet zë i fuqishëm kolektiv i të nëpërkëmburëve. Që ajo të merr trajtë të qartë politike dhe rrugë të vendosur para. Këtu vie në shprehje roli i pazëvendësueshëm i organizatës, dhe në të ai i pazëvendësueshëm i aktivistit”, ka thënë Ymeri.

Me përfundimin e zgjedhjeve të brendshme Ymeri ka thënë se do të zgjidhet edhe kryesia e re.
“Do të jetë përgjegjësi e kësaj kryesie dhe e kryetarit që ta vazhdojnë forcimin e organizatës. Forcimi i Pikave dhe Qendrave të Lëvizjes do të jetë synim prioritar në muajt në vijim. Lëvizjes i duhet një kryesi e re, e tillë që kapërcimin cilësor të sasisë e kthen në kapërcim sasior të cilësisë. Kështu do të lidhemi me të nëpërkëmburit, me Kosovën e poshtme, me ata që e epërmja nuk i do në Lëvizje. Është imperative që t’i politizojmë e organizojmë të varfërit e të papunët, por edhe punëtorët që eksploatohen. Ata tashmë janë aty të ndarë, duke jetuar në vehte. Ne duhet t’i nxjerrim në hapësirën publike, në rrugë, për t’i bërë për vehte”, ka thënë Ymeri. “Prania jonë në institucione kudo, në Kuvendin e Republikës, në Asambletë Komunale, në qeverinë lokale në Prishtinë, do të jenë zëri i kësaj Kosove të nëpërkëmbur, vota e saj, dhe ekzekutimi i së drejtës dhe interesit të saj”, ka thënë më tej ai.

Ymeri ka folur edhe për shqiptarët jashtë kufijve.
“Në Maqedoni, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në Mal të Zi shqiptarët sot janë të diskriminuar dhe të shtypur. Si në arsim, ashtu edhe në punësim, si në shëndetësi, ashtu edhe në kulturë. E vërteta për ta heshtet, ndërkohë që shpërngulja vazhdon. Është detyrë e Republikës së Shqipërisë dhe e asaj të Kosovës që t’u dalë në mbrojtje këtyre shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Ne do të vazhdojmë t’u jemi në krah dhe do ta forcojmë bashkëpunimin tonë me ta, në mënyrë që ta ndihmojmë organizimin e tyre dhe fuqizimin e tyre politik”, ka thënë Ymeri.

Është kthyer prapë te Kosova kur ka thënë se sovraniteti shtetëror e republika qytetare nuk arrihen duke u mohuar.
“Negociatat e vazhdueshme e koncesionet ndaj Serbisë po e mohojnë Republikën, për ta ndërtuar Asociacionin. I tërë aparati shtetëror i Kosovës i është vendosur në funksion negociatave. Republika e Kosovës duhet të jetë shtet që e vë dialogun në funksion të interesave të veta shtetërore dhe të reciprocitetit, e respektimit të dyanshëm të sovranitetit të shteteve. Pushtetet në Kosovë po ë bëjnë pikërisht të kundërtën, po e vëjnë shtetin në funksion të dialogut, e atë në funksion të interesave të Serbisë. Kjo natyrisht që nëpërkëmb dinjitetin e interesin publik të Kosovës dhe popullit këtu. Lëvizja Vetëvendosje nuk do të pajtohet kurrë me këtë nëpërkëmbje. Ne nuk do të pajtohemi, e as nuk do të pushojmë së kundërshtuari padrejtësinë që po betonohet dhe atë renë që po krijohet përmes këtyre negociatave me Serbinë. Përpjekja jonë synon t’i ndalë këto koncesione, në krijim dhe në zbatim”, ka thënë ai.

Sipas tij, muaji janar i këtij viti e vulosi ndryshimin.
“Protestat e fuqishme për shkarkimin e ministrit fashist Jabllanoviqit, dhe për Trepçën ndërmarrje publike, treguan se të bashkuar mund t’ia dalim. Të bashkuar do ta bëjmë Republikën të qytetarëve, duke e nxjerrë atë nga privatizimi që po ia bëjnë pushtetarët”.

© KOHA.net

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.