Eko Higjiena

Ymeri: Ramushi servil ndaj disa diplomatëve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Zgjedhjet dhe fletëvotimet do të jenë në bazë të ligjeve të Kosovës, pasi që ato pritet që të ndryshohen për t’iu akomoduar marrëveshjes së 19 prillit. Kjo është përgjigja e Lëvizjes Vetëvendosje, pas deklaratës së kryeministrit të vendit, se fletëvotimet do të jenë të ligjshme, edhe pse ndoshta nuk do të jenë të mirëpritura politikisht. Sipas zyrtarëve të këtij subjekti politik, deklarimet publike, të Ramush Haradinajt, për marrëveshjet me Serbinë dhe zgjedhjet lokale janë servilizëm ndaj disa diplomatëve ndërkombëtar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë sot se Qeveria e Kosovës po e akomodon marrëveshjen e 19 prillit, duke ndryshuar ligjet e Kosovës.

“Është duke u luajtur një lojë shumë e rrezikshme nga kryeministri dhe nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës në ligjërimin e tyre publik, kur thonë se zgjidhjet do të jenë përbrenda ligjeve të Kosovës, por ndoshta jo të kënaqshme politikisht, siç ka thënë edhe për këtë. Por ne po e shohim se zgjidhjet nuk po janë përbrenda ligjeve ekzistues të Kosovës, por përbrenda ligjeve të ndryshuara të Kosovës që po ndryshohen për të akomoduar Serbinë dhe pushtetin e Serbisë apo asociacionin që do të jetë drejtpërdrejt i lidhur me Serbinë. Pra, edhe kjo zgjidhje e fletëvotimeve, nuk është se është në përputhje me ligjin e Kosovës, por do të jetë mbase në përputhje me ligjin e Kosovës, sepse Qeveria e Kosovës sigurisht se e ka ndërmend me ndryshuar ligjin për të akomoduar këtë marrëveshje”, ka deklaruar Ymeri, transmeton Kosovapress.

Marrëveshja e 19 prilli e votuar me 2/3 në Kuvend, sipas Ymerit, e ka primatin mbi ligjet e Kosovës dhe ajo po i ndryshon ligjet e Kosovës.

Uji Dea

I pyetur në lidhje me partitë tjera opozitare që nuk ngrisin zërin rreth këtyre çështjeve, ai ka thënë se disa politikanë opozitar po janë më pranues se vetë kryeministri.

“Nganjëherë liderët e atyre partive që po e quajnë opozitare, që po nguten me i pranuar më shumë pranues apo dorëshlirë sesa vet kryeministri, siç e pamë Ramush Haradinajn para dy dite. Kjo garë për të cilën është më servil karshi disa diplomatëve të huaj dhe përgjithësisht që të duket një person i pranueshëm për shtet është një garë që vërtet nuk po e përmirëson ligjërimin edhe aktivitetin politik në Kosovë, por po e sjellë atë për tokë. Dhe kjo është shumë e dëmshme për Kosovën. Unë mendoj që Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt kundërshtues dhe kjo na bënë në fakt të vetmin subjekt politik në Kosovë, sepse këto partitë tjera që e quajnë subjekte politike janë më shumë grupe interesi sesa që janë parti politike”, ka theksuar ai.

Por, Ymeri mendon se marrëveshja dhe derivatet e saj, në fakt po e derivojnë atë fjalinë e famshme të Serbisë që jemi të gatshëm të japim më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi.

Lëvizja Vetëvendosje këto marrëveshje i ka kundërshtuar përmes mjeteve juridike dhe organizimit qytetar. /Telegrafi /