Ymeri: Qytetarët, të mllefosur me dhunën sistematike të Qeverisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në emisionin “Click” tha se opozita kishte ndërmarrë të gjitha masat për ta parandaluar eskalimin e protestës së 9 janarit, ndërsa ka refuzuar që opozita ta marrë përgjegjësinë e përshkallizimit të protestës së asaj dite.
Sipas tij, kjo pasi, qytetarët janë zemëruar dhe të mllefosur me Qeverinë e Kosovës me mënyrën e qeverisjes së saj si dhe me prurjen e dy marrëveshjeve të fundit, të cilat marrëveshje opozita po i kundërshton me të gjitha mjetet që prej 6 muajsh.
“Kemi ndërmarrë të gjitha masat që ta parandalojmë një gjë të tillë. Duhet të kuptojmë që zemërimi i qytetarëve është në rritje. Ky zemërim duhet të merret parasysh nga Qeveria e Kosovës”, tha Ymeri.
Ai tha se opozita si organizator nuk i njeh personat që sulmuan objektin e Qeverisë me koktej Molotovi.
Ymeri dhunën e disa protestuesve të rinj e arsyetoi me gjendjen socio-ekonomike në vend.
“Sistemi ka ushtruar dhunë sistematike. Një qytetar, i cili për 16 vite nuk ka arritur të ngop familjen e tij me bukë, atëherë ndaj tij është ushtruar dhunë”, theksoi ai.
Ndërsa, sa i përket raportit të VV-së me bashkësinë ndërkombëtare, Ymeri tha se nuk beson në unitetin e kësaj bashkësie.
“Që të gjitha shtetet e bashkësisë ndërkombëtare, së bashku, nuk e kanë qasjen e njëjtë ndaj Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, janë dy dy gjëra janë që e kanë shkaktuar këtë situatë, e ato janë Marrëveshja për “Zajednicën” me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.
Ndërsa ai akuzoi Qeverinë për shuarjen e strukturave paralele në Veri të Mitrovivës me anë të inkorporimit të tyre brenda Policisë së Kosovës.
“Strukturat paralele dëbuan shqiptarët, janë uzurpuar objektet publiket. Sot Qeveria e Kosovës dakordohet që jo vetëm t’i amnistojë këto struktura, por edhe t’i përbrendësoj brenda aparatit shtetëror që t’i legalizojë brenda strukturave shtetërore”, tha Ymeri.