Ymeri: Opozita nuk lëviz nga pozicionet

Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Opozita nuk ka lëvizur aspak nga qëndrimet e saj kundër marrëveshjeve me Serbinë, pasi ato kanë mbetur po të njëjtat.
“Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimeve nga Opozita e bashkuar, karshi këtyre marrëveshjeve, sepse nuk ka asnjë ndryshim në këto marrëveshje”.
“Këto marrëveshje janë jashtëzakonisht të dëmshme për Republikën e Kosovës, territorin e Kosovës, funksionimin e Kosovës”.
Ai poashtu ka theksuar se forma në të cilën janë shkruar ato lëndon shtetësinë e Kosovës, por nuk prek pretendimet e Serbisë nga nesh.
“Nëse e shohim tekstin e shkruar në këto marrëveshje ka një kujdes të shtuar që asnjëherë të mos preket Kushtetuta e Serbisë, kurse ndodh e kundërta me Kushtetutën e Kosovës”.
“Përmes këtyre marrëveshjeve, përpos që po ndryshon Kosova për brenda, gjithashtu po involvohet Serbia në Kosovë”, ka thënë Ymeri në emisionin “Zona e Debatit”, në Klan Kosova.
Ai ka thënë se partia që ai drejton jo vetëm që e do Republikën e Kosovës, por është ndoshta e vetmja që e mbron atë.
“Vetëvendosja jo vetëm që e njeh Republikën e Kosovës, por është thuajse e vetmja që mbron dhe e do Republikën e Kosovës. Republika është e Kosovës e jo e Ahtisaarit”.
Ymeri poashtu ka theksuar se procesi i pavarësimit dhe vet akti ka shënuar hapa në të dy drejtimet: si para ashtu edhe pas.
“Ne kemi thënë që shpallja e pavarësisë është hapa para, por ka edhe hapa mbrapa, në kontekst të integritetit territorial të shtetit”.
“Simbolet aktuale të Republikës së Kosovës edhe janë jo-përfaqësuese të Republikës së Kosovës edhe kanë ardhur pa një vullnet”, tha ai.