Ymeri në Gjilan : Kërkimi i votës për pushtet është korrupsion

Gjilan – Visar Ymeri tha se vota e qytetarit duhet të arsyetohet e kërkimi i votës për pushtet është korrupsion.
Lëvizja VV dhe kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Gjilani kanë vazhduar takimet me qytetarë. Banorët e lagjes “Kodra e Dëshmorëve” bashkëbiseduan me Visar Ymerin, Ismajl Kurteshin, Shemsi Sylën dhe Përparim Mujin, raporton rajonipress.
Visar Ymeri tha se vota e qytetarit duhet të arsyetohet e kërkimi i votës për pushtet është korrupsion. “Duke e ditë se ne jemi subjekti i vetëm me program të shkruar e publik, jemi të vetmit që kërkojmë votë për zbatim të këtij programi, e të tjerët pa program kërkojnë votë për pushtet. Alternativa Qeverisëse me tri shtyllat dhe njëzet kapitujt e saj ofron mbulesë për pothuajse të gjitha sferat e jetës. Shteti i së drejtës ku do të garantohet barazia për të gjithë para ligjit, ku edhe korrupsioni nuk do të gjejë vend, shteti zhvillimor ekonomik do të ketë rrugë të hapur për tu jetësuar. E rezultat i shtetit të së drejtës dhe të zhvilluar ekonomik do të garantoj shtet solidar dhe mirëqenie për të gjithë” ka thënë Ymeri.
Kurse Ismajl Kurteshi, kandidatë për deputetë dhe koordinatorë i VV në Gjilan shtoi se koha e ndryshimeve vetëm se ka ardhur. “Bashkimi i shumë personaliteteve dhe individëve nga sfera të ndryshme është indikator për këto ndryshime. Ne nuk jemi ata që do të bëjnë vetëm zëvendësimin e individëve, por edhe do të sjellin koncept, program dhe vizion për zhvillimin e vendit”.
Shemsi Syla, njëri nga kandidatët e tjerë për deputetë bëri thirrje për mobilizim në përkrahje të LVV dhe programit të vetëm serioz të vendit. “Vizioni i VV për Kosovën paraqet mundësi që të rinjtë tanë të mos lëshojnë vendin”.
Biznesmeni i ri Gjilanas dhe kandidati për deputetë të Kuvendit të Kosovës, Përparim Muji tregoi për vështirësitë që i ka prodhuesi vendor për shkak të mos përkrahjes dhe mungesës së mbrojtjes nga organet shtetërore. “LVV prodhuesin vendorë e rrjedhimisht edhe zhvillimin ekonomik, ulja e papunësisë dhe ngritja e mirëqenies do të ndodhin menjëherë”.
Pjesëmarrësit në takim kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth gjendjes aktuale, duke treguar se si rrugë të vetme tani e shohin Alternativën Qeverisëse të LVV thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik./rajonipress/