Ymeri: Mospranimi në UNESCO, lajm i keq
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha të hënën se mospranimi i Kosovës në UNESCO është lajm i keq për Kosovën dhe njëkohësisht indinjues.Ymeri theksoi se ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar.
“Mospranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO është një lajm i keq për ne dhe njëkohësisht indinjues. Fatkeqësisht Asambleja e kësaj agjencie të OKB-së, agjenci kjo që është e thirrur t’i mbrojë dhe çojë përpara vlerat e të drejtat universale për zhvillim kulturor e arsimor të popujve, sot vendosi bazuar në partikularitetin e interesave të ngushta mes shteteve të caktuara dhe avancimit hegjemonist të Serbisë dhe Rusisë”, shprehet Ymeri.
Ai tha se ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar.
“Sa më të urtë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, aq më e egër ajo ndaj nesh. Prandaj me të nuk mund të merremi vesh e të dialogojmë pa ndryshuar thelbësisht njëherë ajo. E, aq më pak t’ia plotësojmë kërkesat në Kosovë. Me gjithë rezultatin negativ për Kosovën gjejmë rastin të falënderojmë përzemërsisht Republikën e Shqipërisë, Ministrat Bushati e Kumbaro, si dhe vendet mike që sinqerisht e mbështesin Kosovën”, tha Ymeri. /Telegrafi/

