Fundamenti

Ymeri krahason dy deklarata të Kurtit të dhënë gjatë shkurtit, thotë se ka kundërthënie në to

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Ish-deputeti Visar Ymeri përmes një postimi në facebook ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti në lidhje me qëndrimet e tij për procesin negociator në Vjenë dhe Pakon e Ahtisaarit.

Sipas tij Kurti në të njëjtën kohë edhe po kundërshton edhe po lavdëron këto dy procese.

Ymeri ka cituar edhe dy deklaratat e Kurtit të dhëna në 10 dhe 17 shkurt, e që sipas tij janë në kundërthënie.“Ishin po këta aleatë ndërkombëtarë që më 2008 po ata faktorë vendorë në koordinimin e të gjitha atyre veprimeve të nevojshme politike dhe proceseve të domosdoshme diplomatike që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, citon Ymeri fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 17 Shkurt 2023.

Mobi Casa

“Me të drejtë e kritikuam dhe kundërshtuam paketën e Ahtisaarit, sepse aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodokse, shuarje përfundimtare të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos për deputetët serbë me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi neve e pa llogaridhënie ndaj neve”, citon ish deputeti fjalimin tjetër të Albin Kurtit në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë më 10 shkurt 2023.

Ymeri thotë se këto fjalime i ka thënë i njëjti njeri (Albin Kurti), në të njëjtin muaj (shkurt), e në të njëjtin vit (2023).“I njëjti proces (Procesi negociator në Vjenë). I njëjti dokument (Plani i Ahtisaarit)”, ka vijuar tutje ish-deputeti.

Ymeri thotë se më 17 Shkurt 2023, Albin Kurti e quan proces të NEVOJSHËM dhe të DOMOSDOSHËM, që kulmoi me shpalljen e pavarësisë, derisa i njëjti sipas tij më 10 shkurt 2023, e quajti proces dhe dokument të KUNDËRSHTUESHËM dhe të KRITIKUESHËM, meqë thoshte se krijonte ndasi etnike dhe serbizim të Kishave dhe Manastireve Ortodokse.“Albin Kurti po na thotë që edhe kundërshtimi edhe afirmimi i të njëjtit proces janë të drejta”, ka përfunduar Ymeri.