Uji Dea

Ymeri: Kosovës rreziqet i vijnë nga “Zajednica”, jo nga Shqipëria

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri theksoi të mërkurën se Kosovës dhe shqiptarëve në Kosovë, kërcënimet i kanë ardhur nga Serbia, e jo nga Shqipëria.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Na kujtohet shumë mirë koha kur Serbia pretendonte se të gjithë shqiptarët në Kosovë janë të ardhur nga Shqipëria. Kështu Serbia legjitimonte projektin e ardhshëm gjenocidal ndaj shqiptarëve për të bërë Kosovën të Serbisë.

Ky regjimi i sotëm policor qëndrimin e ka më të butë: ata po thonë që shqiptarët që ‘po shkaktojnë trazira’, dhe se problemet për Republikën vijnë nga Republika e Shqipërisë. Kështu deklaroi Isa Mustafa, kështu deklaroi këshilltari i tij luajal Bajram Gecaj, e të tjerët si këta. Dhe menjëherë, siç e do rregulli me këtë lloj pushteti, filloi me punën propaganda shpifëse mediatike që e kërkon ‘deportimin!’ e këtyre problemsjellësve nga Republika e Shqipërisë.

Mobi Casa

Peticioni i qytetarëve, protestat nëpër rrugë e sheshe, e deputetëve në Kuvend, e aktivistëve në aksionin politik janë kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë. Kosovës kërcënimet, e shqiptarëve në Kosovë i kanë ardhur nga Serbia e jo nga Shqipëria. Kjo ka qenë e vërtetë atëherë, para luftës së dytë botërore, pas saj, gjatë Rankoviqit, gjatë viteve 60, 70, 80, e 90, para luftës së UÇK-së, gjatë saj, e është e vërtetë edhe sot. Edhe sot Republika e Kosovës kërcënohet e rrezikohet nga ‘Zajednica’ e Serbisë.

Është e papranueshme, dhe neveritëse, kjo propagandë e pushtetit që nxit urrejtjen ndaj shqiptarëve nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi e Vlora. Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit përveç antikombëtare, është provinciale e përjashtuese.

Republika e Kosovës jetësohet me deportimin e ‘Zajednicës’. Ky është problemi që duhet shporrur, i cili jo vetëm që po e trazon, por po kërcënon ta rrënojë Republikën duke ia gërryer dheun nën këmbë.

Shqiptarët do të bashkëjetojnë e do të bashkëpunojnë përkundër vullnetit të Mustafës me shokë që ta pengojnë këtë, në Republikën pa ‘Zajednicë’ dhe për Republikën pa ‘Zajednicë’. /Telegrafi/