Ymeri: Isa Mustafa s’ka guximin të ballafaqohet me qytetarët

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deklaroi sot kjo Qeveri dhe ky kryeministër nuk e kanë as guximin më të vogël që të ballafaqohen me deputetët në seancë sa i përket çështjes së Jabllanoviqit, e as të ballafaqohet me popullin në rrugë, transmeton zeri.info.
“Kryeministri i drejtohet popullit përmes Facebookut, duke e shndërruar angazhimin e tij institucional në angazhim të rrjeteve sociale”, tha Ymeri, sot para mediave, kur foli edhe për interpelancën e kërkuar nga AAK për kryeministrin Isa Mustafa.
“E vetmja kërkesë e Vetëvendosjes është shkarkimi i ministrit të Kthimit dhe të Komuniteteve, Aleksandar Jabllanoviq, për shkak të gjuhës së tij urrejtëse, denigruese dhe ofenduese karshi qytetarëve të Kosovës”, tha ai, por shtojë se interperlanca duhet të mbahet nesër.
“Ne e kemi përkrahur këtë interpelancë dhe kemi kërkuar së bashku me grupet e tjera parlamentare që kjo interpelancë të mbahet nesër, meqë të gjitha afatet në pajtim me Rregulloren e punës së Kuvendit janë plotësuar”.
Ai shtojë se ‘deri të martën Isa Mustafa ka kohë që të marrë vendim në përputhje me kërkesat e qytetarëve, përndryshe nëse nuk e ka guximin që të ballafaqohet me ofensivën politike të Serbisë karshi Kosovës, atëherë duhet të ballafaqohet me qytetarët e revoltuar”.
“Facebooku është mënyrë e gabuar për të vepruar për protestat. Protesta është thirrur për të mërkurën dhe do të mbahet të mërkurën. Interpelanca është shtesë dhe me të i jepet një dimension institucional kërkesave të qytetarëve”, ka thënë ndër tjerash Ymeri.
“Jemi duke diskutuar skenarin e protestave, por kërkesat mbesin të njëjta, shkarkimi i Jabllanoviqit dhe mbrojtjes së Trepçës. Policia nuk ka asnjë të drejtë që ta uzurpojë sheshin dhe të mos lejojë qytetarët që të lëvizin lirshëm”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se nuk e ka ndërmend të ndalen deri në arritjen e qëllimeve”, deklaroi Visar Ymeri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. /Zëri/