Ymeri: Çdo territor i Artanës do ta ndjejë dorën e përkrahjes nga qeveria komunale
Gjilan – Në debatin e parë publik për këtë vit me qytetarë, kreu i Artanës Bajrush Ymeri tha se përkundër buxhetit të limituar për investime kapitale, do të bëjë përpjekje maksimale që secila pjesë e territorit të komunës ta ndjejë dorën e përkrahjes nga kjo qeveri komunale.
Kryetari i Komunës së Novobërdës Bajrush Ymeri të mërkurën ka mbajtur debatin e parë me qytetarët e kësaj komune.
Në këtë debat, të mbajtur në sallën e Kuvendit, ishin të pranishëm qytetarë të lokaliteteve të ndryshme të komunës të cilët ishin aktivë me pyetjet dhe shprehjen e halleve dhe brengave të tyre. Të pranishëm në këtë debat publik përveç qytetarëve të interesuar, ishin edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe OSBE-së.
Ymeri ka folur për sfidat, rezultatet, përkushtimin dhe angazhimin e të gjithë resorëve të Artanës për të pasur një komunë më të zhvilluar, më të avancuar dhe në shërbim të qytetarëve.
Ymeri ka folur gjatë dhe ka sqaruar para qytetareve projektet e realizuara në të gjitha fshatrat e Artanës, investimet në këtë komunë që janë të shumta dhe vijnë edhe nga vendorët edhe nga ndërkombëtarët, stabiliteti politik dhe mbi të gjitha Ymeri ka folur për një situatë të mirë e të qetë ndëretnike.
Ymeri edhe njëherë ka sqaruar para qytetarëve procesin e decentralizimit dhe rrjedhojat e saj ku kjo komunë tashmë për shkak të territorit të madh që ka dhe numrit të vogël të banorëve, ka krijuar një disproporcion të madh me numrin e qytetarëve.
“Kemi 204 km2 ndërsa rreth 10 mijë banorë për derisa vazhdon të jetë kështu dhe formula e ndarjes së buxhetit të jetë për kokë banori dhe mos të merret parasysh edhe territori në masë të duhur ne do të ballafaqohemi me vështirësi të shumta. Prandaj për shkak të buxhetit të vogël është e pa mundur të realizohen edhe investimet kapitale dhe kërkesat e qytetarëve të cilat janë çdo ditë për infrastrukturë për të cilën ata kanë nevojë.
Unë gjithmonë them që kjo çfarë ka ndodh me Komunën e Novobërdës në vitin 2009, zgjerimi i kësaj komune me 120 % territor më tepër neve na ka shkaktuar problem të madh sepse kemi marr edhe territor jashtëzakonisht të pa investuar dhe ende neve na duhet të kthemi dhe të investojmë në projektet të cilat është dashtë që të realizohen para disa viteve” ka thënë Ymeri.
Sipas tij buxheti i Komunës është rreth 2.409.337,00 euro, prej tyre gjithsejtë i kemi investime kapitale rreth 568.419,00 euro ndërsa pjesa tjetër shkon për paga dhe mëditje, për mallra dhe shërbime, për shërbime komunale dhe për subvencione e transfere, ku pjesa më e madhe shkon për paga dhe mëditje duke i marrë parasysh administratën, kulturën, arsimin, shëndetësinë etj.
Duke folur për të hyrat Ymeri tha se ato që janë planifikuar për vitin 2013 që të realizohen janë gjithsejtë 124.000,00 euro dhe këto të hyra i kemi planifikuar, por edhe këto të hyra janë të vogla për arsye të numrit të banorëve, numrit të bizneseve që ekzistojnë në territor të Komunës, ndërtimet të cilat bëhen sepse ne jemi një Komunë me territor rural.
Duke folur për raportet me minstritë Ymeri tha se ne kemi pasur bashkëpunim edhe me Ministritë e Qeveris së Kosovës , por bashkëpunim më të mirë kemi me MAPL-në, sepse kjo ministri për çdo vit ndihmon Komunën me shuma të ndryshme.”Këtë vit kjo Ministri ka vendosur që të na ndihmojë më tepër dhe ka ndarë një shumë prej 250.000,00 euro që do të investojë dhe Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit me 50.000,00 euro dhe ne i kemi ndarë 60.000,00 euro dhe me këto mjete këtyre ditëve do të bëjmë investime kryesisht në asfaltimin e rrugëve në Kufcë, Stanishor, Manishincë dhe Koretishtë” ka thënë ai.
Ymeri ka falënderuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që kanë ndihmuar në realizimin e objektivave zhvillimore të komunës si, Komisioni Evropian, Iniciativa për Komuna Efektive dhe Demokratike DEMI-i, LOGOS-i Zviceran, OSBE-në, ECMI-n edhe me KFOR-in gjegjësisht zyrën e LMT-së në Novobërdë të cilën për çdo ditë janë në teren, bisedojnë me qytetarë identifikojnë problemet të natyrës së ndryshme dhe pastaj ne bashkërisht bisedojmë me ta për të zgjidhë problemet të cilat evidentohen.
Ymeri ka lavdëruar punën e Kuvendit Komunal derisa ka shtuar se në qendrën për shërbim të qytetarëve tani të gjithë qytetarët e kanë më lehtë për të ardhur deri te shërbimet sepse tani të gjitha shërbimet po kryhen me një vend. “Ne jemi në bisedime edhe për hapjen e një filial të bankës për arsye që të jetë më e lehtë mënyra e pagesës dhe mos të kenë nevojë qytetarët të udhëtojnë në qytetet e tjera e të bëjnë pagesat e ndryshme” ka thënë ai.
Kreu i Artanës ka përmendur edhe sferën e arsimit e kulturës ku tha se gjendja është e mirë. “Ne kemi investuar shumë në krijimin e hapësirave për zhvillimin e procesit mësimor, dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian ne kemi arritur të përfitojmë realizimin e projektit të ndërtimit të shkollës së mesme në Llabjan, pastaj shkollën në Bostan”.
Sipas Ymerit gjendja paraqitet e mirë edhe në Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. “Edhe këtu gjendjen e kemi të mirë sepse në bazë të kërkesave të kësaj drejtorie kemi arritur që t`i plotësojmë kushtet për shërbime në këto ambulanta”.
Edhe së sektorin e Zhvillimit Ekonomik Ymeri tha se ka progres.” Në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit kemi vendosur me krijue një zonë ekonomike në fshatin Llabjan, dhe po ashtu kemi vizituar edhe bizneset e ndryshme të cilat operojnë në Komunën tonë dhe më për së afërmi jemi njohur edhe me problemet me të cilat ata ballafaqohen. Ne kemi krijuar edhe lehtësira për ta, dhe në bazë të anketimit të cilin e ka bërë USAID-i, Komuna jonë ka nxënë vendin e parë për krijimin e klimës më të mirë për biznese” ka thënë ai.
Sa i përket Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po vazhdojnë subvencionimet nga Ministria dhe nga komuna. “Ne kemi ndarë 60.000 euro për këtë vit që të ndihmojmë fermerët tanë dhe këtyre ditëve është duke ecur procedura e njoftimeve për të aplikuar dhe kemi vendosur që kësaj here t`i subvencionojmë bujqit me pajisje të ndryshme bujqësore” tha Ymeri.
Edhe në Urbanizëm dhe Kadastër vazhdojnë punët me trendet e parapara ku qytetarët po pajisën me leje të ndërtimit dhe me kërkesa të ndryshme.
Ymeri ka përmendur edhe telashet dhe problemet që ka kryesisht me shërbimet publike.“Për momentin kemi problem me ujësjellës sepse ende nuk po arrijmë mirëkuptim nga kompania regjionale e ujit në Gjilan për të zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës të që të gjithë ujësjellësit e komunës së Novobërdës të kalojnë në menaxhim të kompanisë regjionale”.
Ymeri ka përmendur edhe shërbimin e zjarrfikësve të cilët këtë pranverë u ballafaquan me zjarre të mëdha, kurse në menaxhimin e mbeturinave ka thënë se e kemi njësinë që operon në kuadër të kompanisë regjionale dhe ka një ekip prej 6 punëtorëve të cilët operojnë për mrekulli në tërë këtë territor dhe si rezultat i kësaj ne kemi territorin më të pastër në Kosovë.
Ymeri ka thënë se në fushën e inspeksionit kanë ende marrëveshje me Komunën e Gjilanit për të mbikëqyr fushën e inspektimeve në zonat që janë kryesisht afër Gjilanit.
Ymeri po ashtu ka prezantuar edhe punën e Zyrës për Komunitete dhe Kthim dhe përmendi projektin e RRK-III-, në ndërtimin e shtëpive dhe plotësimin e kushteve të jetesës për personat e riatdhesuar që janë në Komunë të Novobërdës.
Nga ana e tyre qytetarët e pranishëm kanë bërë pyetje të ndryshme në adresë të Ymerit edhe atë kryesisht lidhur me infrastrukturën nëpër lokalitete të ndryshme, mundësitë e përmirësimit dhe zgjerimit të aktiviteteve të Komunës.
Ymeri u ka premtuar atyre se përkundër buxhetit të limituar për investime kapitale, do të bëjë përpjekje maksimale që secila pjesë e territorit të komunës ta ndjejë dorën e përkrahjes nga kjo qeveri komunale./rajonipress/

