Yllka: Muzika e mirëfilltë shqipe, ëmbëlsia e shpirtit tim
Këngëtarja Yllka Kuqi është shumë e angazhuar si në krijimin e këngëve ashtu edhe me pjesëmarrjen e saj në mbrëmje dhe koncerte të ndryshme muzikore. Ajo në një intervistë për gazetën Tribuna, përveç që ka treguar për planet e saj, gjithashtu ka folur edhe për përzgjedhjen që u bë këngëve dhe për shumëçka tjetër.
Është njëra ndër emrat më të kërkuar në skenën muzikore shqipe. Yllka Kuqi që nga paraqitja e saj e parë në festivalin “Zambaku i Prizrenit” ka dëshmuar se është një zë që i premton shumë artit kosovar. Në gjithë këto vite në skenë, Yllka ka sjell shumë hite, por kënga “Të kujtoj” që është edhe projekti i fundit deri më tani, ka renditur një tjetër sukses në ka karrierën e këngëtares. E këto arritje të saj, duket se janë një nxitje e madhe që Yllka të sjellë shumë risi në skenën. Në një bisedë për gazetën Tribuna, ajo folur për këngët në të cilat është duke punuar si dhe ka shpalosur më shumë detaje rreth angazhimeve në koncerte.
Tribuna: Yllka, fillimisht na tregoni në çka jeni duke punuar aktualisht?
Kuqi: Do të lansoj gjatë festave të fundvitit disa këngë të reja, balada dhe ritmike, të zhanrit popullore. Jam duke bashkëpunuar me artistë të ndryshëm
Tribuna: Ju vini nga një familje artisësh. A ka ndikuar babi juaj që edhe ju të këndoni?
Kuqi: Po e kam trashëguar talentin nga babi, por me punë jam munduar ta zhvilloj atë talent sa më shumë .
Tribuna: Kur mendoni ta lansoni albumin tuaj të radhës?
Kuqi: Albume deri me tash i kam 3. Një album me këngët e mia solo, një album ‘live unplugged’ me këngë të vjetra dhe të reja shqipe dhe një album të muzikës popullore në duet me babin. Për sezonen e pranverës do të përgatitet të vij me albumin tjetër me këngë të reja popullore.
Tribuna: Ju në çdo këngë shpalosni dashuri por keni edhe një dozë dhembje pse kjo?
Kuqi: Jeta është plot emocione, dashuri e dhimbje, kjo është pjesë e realitetit tonë kështu që unë këndoj për emocionet e ndjenjat që ne i përjetojmë çdo ditë.
Tribuna: Më së shumti jeni e përqendruar në muzikën e mirëfilltë shqipe, pse kjo?
Kuqi: E këndoj me endje muzikën popullore dhe këngët e vjetra shqipe, me pëlqejnë dhe besoj me shkojnë.
Tribuna: Sa jeni aktive nëpër mbrëmje muzikore në Kosovë apo jashtë saj?
Kuqi: Kam qenë dhe jam më shumë e angazhuar në dasma dhe festa.
Tribuna: Ku do të jeni e pranishme për festat e fundvitit?
Kuqi: Për festën e Flamurit jam në Itali ndërsa për vitin e ri në Kosove. Në Prizren dhe në Pejë. (Fatbardha Kashtanjeva)


