Ylber Kastrati më i merituari për fitoren e Gjilanit

Gjilan – Shënues: Lirian Ferati ’48, Ylber Kastrati ‘67 .Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues:200 Gjyqtarë:A. Hoxhaj, L. Hasani, B. Hajredinaj. Kartoni i verdhë: Ferati (Gjilani) – Murti, Sinani, Kurtishaj, Selmani (R. Sadiku). Kartoni i kuq Grezda (pas dy të verdhëve) (R. Sadiku).Gjilani – Ramiz Sadiku 2:0 (0:0).
Gjilani: A.Hajdini, Ferati, Uka, Syla, Kastrati, Arifi, Hyseni, Bajraliu (Mustafa), Muja (L. Hasani), Maliqi, Sh. Hajdini.
R. Sadiku: Ismajli, Gegaj, Pacolli, Murti, Thaqi, Pevqeli, Sinani (Gashi), Feka, Gezda, Kurtishaj, Selmani ( Lepaja).
Futbollistët e Gjilanit kanë shënuar një fitore të rëndësishme ndaj skuadrës mjaft të mirë nga kryeqyteti dhe me këto tri pikë tash kalojnë në mesin e tabelës, në mënyrë që përfundimin e kampionatit ta presin sa më të qetë. Ishte kjo një lojë me dy pjesë të ndryshme. Në pjesën e parë ishte skuadra mysafire që kishte më shumë nga loja, duke i ndihmuar në masë të madhe edhe era që frynte dhe një 45 minuta të tjerë ku dominoi plotësisht skuadra vendase ku edhe i shënoi dy gola.
Të parët rastin për shënim e patën mysafirët në minutën e 12 dhe ishte Kurtishaj që godet nga një pozitë ballore, por ishte portieri Hajdini që pret me sukses. Tre minuta më vonë edhe Selmani i R. Sadikut ka mundur të shënojë, por ishte pingulja që ka shpëtuar portierin Hajdini nga kapitullimi.
Vendasit rastin e vetëm për shënim në këtë pjesëlojë e patën përmes sulmuesit Premton Muja që ka dështuar të shënojë nga afërsia.
Instruksionet e trajnerit të Gjilanit si duket kanë dhënë fryt. Me të filluar pjesa e dytë, vendasit kanë shënuar gol përmes mbrojtësit Ferati, i cili është shërbyer mirë nga Kastrati dhe që nuk e kishte vështirë të shënojë nga afërsia për rezultatin 1:0 për vendasit.
Në minutën e 67, vendasit kanë shënuar edhe golin e dytë, ndërsa shënues ishte Kastrati që ka shfrytëzuar një tollovi para portës së Ismajlit, duke u futur topi në këndin e epërm të majtë të portierit të R. Sadikut.
Shpresat për një rezultat të favorshëm në këtë ndeshje janë shuar në minutën e 80, pasi futbollisti i mysafirëve është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe që ishte njëheritë edhe përjashtim nga loja.
Thanë pas ndeshjes:
Sallah Sherifi, kryetrajner i Gjilanit: E kemi ditur se kemi të bëjmë me një skuadër të fortë, por lojtarët e mi arritën që të shënojnë fitore të merituar në fund. Mysafirët në pjesën e parë janë angazhuar dhe luajtën më mire, duke iu falënderuar edhe ndihmësen që e patën nga era, derisa ne në pjesën e dytë dominuam tërësisht ku arritëm të shënojmë edhe dy gola.
Sami Sermaxhaj, kryetrajner i R. Sadikut: Kushtet ideale për lojë na mundësuan të tregojmë lojë të mirë. Ne ishim ata që në pjesën e parë dominuam, por edhe përkundër rasteve nuk arritëm të shënojmë. Në pjesën e dytë erdhi në shprehje përvoja e vendasve të cilët na dënuan me dy gabime tona në mbrojtje./rajonipress/