Yjet shqiptare të futbollit, mes adhurimit dhe stigmatizimit

As atletet e Shaqirit me flamurin shqiptar dhe të Kosovës nuk kanë zbutur ata që “mallkojnë” futbollistët që nuk kanë zgjedhur Shqipërinë.
Në rast se do të shënoj gol kundër Shqipërisë, nuk do ta festoj”, këtë e kishte deklaruar në Prishtinë, reprezentuesi shqiptar i Zvicrës, Valon Behrami duke folur për përballjen e ardhshme të Zvicrës me Shqipërinë, në kuadër të eliminatorëve të botërorit “Brazili 2014”.
Behrami kishte thënë se do të jetë shumë vështirë të luajë kundër Shqipërisë.
Megjithkëtë, fyerjet në adresë të mesfushorit kosovar nuk kanë të ndalur në forume të ndryshme dhe media për shkak se ai nuk luan për Shqipërinë.
As atletet e Shaqirit me tre flamuj; flamurin shqiptar, zviceran dhe atë të Kosovës nuk kanë zbutur zemrat e atyre që vazhdojnë të mos u gëzohen suksesit të futbollistëve shqiptarë duke i quajtur tradhtarë pse luajnë për kombëtaren zvicerane, e jo për atë të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Një shfryrje e tillë vjen nga dëshira e madhe për t‘i parë djelmoshat e suksesshëm shqiptarë në fanellen e kombëtareve të Shqipërisë dhe të Kosovës mendon trajneri i klubit më të suksesshëm shqiptar të futbollit në Zvicër, FC Kosova, Enver Osmani.
„Mbase është reagim emocial, por kurrë nuk vështrohet aspekti praktik“, deklaron Osmani.
“Jam i bindur se çdo futbollist i rritur dhe i kompletuar në diasporë ka dëshirë të luajë në ekipin e kombëtares shqiptare dhe atë të Kosovës”, thotë trajneri i FC Kosovës në Cyrih.
Osmani nuk ka arritur t’i shmanget kritikave në drejtim të federatave të Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të nivelit të dobët të bashkëpunimit me talentet shqiptare në Zvicër.
Ai megjithatë thotë se futbolli është dhe biznes duke e marrë shembull Mesut Ozilin, turkun që luan për kombëtaren gjermane.
“Ozil tregon shembullin më të mirë se futbolli është bizbes. Me vendimin e tij për të luajtur për kombëtaren gjermane e jo atë të Turqisë, e ka rritur vlerën për të kaluar në Real Madrid”, tha trajneri shqiptar në Zvicër.
Ai shpreson se kur të vijë momenti i konkretizimit të lojërave nga FIFA për ekipin e Kosovës do të rritet edhe interesimi i futbollistëve shqiptarë që janë bërë yje në superligën zvicerane.
Gazetari i sportit në Kosovë, Driton Latifi, i cili ishte angazhuar drejtpërdrejtë me rastin e Behramit për të kaluar në kombëtaren e Shqipërisë, thotë se tashmë është bërë vonë për Behramin, Shaqirin, Xhakën etj.
Kombëtarja kuq e zi duhet të interesohet për talentet tjerë të rinj në Zvicër.
“Për mua ata nuk janë tradhtarë, sepse nuk kanë mundur të veprojnë ndryshe. Këtë e them sepse është dashur që Shqipëria të interesohet për ata me kohë, sikur që bën Kroacia. Presidenti i Federatës kroate të futbollit më ka thënë se ai mund t’ia sigurojë pasaportën kroate secilit lojtar për 15 minuta, nëse vlerësohet si talent, kurse në Shqipëri duhet pritur me muaj e vjet”, thotë gazetari i sportit.
Ai ka numëruar disa nga arsyet që ka pamundësuar angazhimin e yjeve shqiptare të futbollit të Zvicrës në kombëtaren kuq e zi.
“Ata djem nuk kanë faj që kanë zgjedhur të luajnë për Zvicrën, dhe nuk duhet cilësuar si tradhtarë. Sipas ligjeve ne fuqi, për ndërrim të kombëtares, futbollisti mund të ndërrojë kombëtaren derisa nuk luan me ekipin e parë të një shteti me këto kushte: nëse ai ka pasur pasaportë të atij vendi ose nëse këtë e posedon njëri prind, ose gjysh i tij, asnjëri nga këta nuk kanë pasur pasaportë shqiptare dhe as prindërit e tyre”, tregon për kushtet teknike redaktori i sportit në përditshmen kosovare “Zëri”.
“Behrami është dashur të presë dy vjet dhe të gjitha ka qenë me pikëpyetje”, thotë Latifi.
Mirëpo në rastin e Kosovës ata nuk kanë nevojë të kërkojnë leje nëse bëhet fjalë për Shaqirin, Behramin dhe Xhakën, por jo edhe për Mehmedin dhe Xhemajlin që janë nga Maqedonia.
“E fundit, djemtë kanë bëre zgjedhjen e tyre dhe me të gjithë që kam folur e kanë pikë në zemër kombëtaren, nuk duhet të ju bëjnë presion të shtuar djemve. Ata vetë e kanë vështirë të luajnë kundër Shqipërisë në Luzern, kurse përfitimi i komunitetit shqiptar në Zvicër është se ata po e përmirësojnë imazhin”, deklaron Latifi.
Bekim Zogaj, gjyqtar ndërkombëtar, instruktor dhe përgjegjës për talentet e rinj në kantonin e Cyrihut thotë se interesi i djelmoshave si Xhaka, Shaqiri është që të luajnë në liga të forta të futbollit duke siguruar transferin e tyre në klube të mëdha evropiane.
Sipas tij duhet pasur mirëkuptim për secilin vendim që marrin djelmoshat e rinj, por edhe beson se gjithmonë varet prej mundësive se çka mund të arrijnë ata me kombëtaren.
“Nëse pranohet Kosova ne UEFA dhe FIFA atëherë lojtaret kosovarë do të mendojnë 2 herë se për cilën kombëtare to të luajnë! Varet edhe prej momenteve se çfarë lojtarë luajnë për kombëtaren, a janë ata të cilët luajnë nëpër ekipe të mëdha evropiane, apo lojtarë të cillët luajnë nëpër ekipe jo të njohura, dhe se çfarë suksesi do të mund të arrijnë”, tha gjyqtari i vetëm shqiptar në Challenge Ligë të Zvicrës, Bekim Zogaj.
Zogaj ka këshilluar drejtuesit e futbollit të Shqipërisë që sa më shpejt të kontaktojnë futbollistë të rinj shqiptarë që kanë treguar talent në ligat zvicerane të futbollit.
„Shembull, Amir Abrashi luan për Grasshoppers Zürich, dhe nuk është kontaktuar ende nga Federata e Shqipërisë që të luajë për kombëtaren. Pse? Besoj se Amiri do të marrë pjesë në lojërat Olimpike në Londer për Zvicrën”, tha për albinfo.ch Bekim Zogaj.
Sido që të jetë futbollistët shqiptarë mbeten në kombëtaren e Zvicrës – një rrëfim i suksesshëm.
“Fenomenit” të suksesit te shqiptarëve në futbollin zviceran nuk janë kanë “pa hajrin» vetëm zviceranët por edhe komuniteti shqiptar në Zvicër.(albinfo.ch)