Uji Dea

Yee: SHBA, përkrah Kosovës në proceset e rëndësishme

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Në kuadër të përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee.

Presidentja Jahjaga dhe zëvendësndihmës sekretari Yee theksuan rëndësinë e votimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, që adreson akuzat nga raporti i Këshillit të Evropës, por që njëkohësisht e thekson përkushtimin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për drejtësi. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se me miratimin Gjykatës Speciale ne Kuvend, Kosova po tregon përkushtimin e saj për përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe përgjegjshmëri shtetërore, thuhet në njoftimin e Presidencës, transmeton Telegrafi.

Jahjaga dhe Yee biseduan edhe për përparimin në proceset e integrimeve evropiane, në veçanti përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe nënshkrimin e MSA-së, vazhdimin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në Kosovë, përmes thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të ekstremizmit.

Mobi Casa

Sipas njoftimit, Jahjaga ritheksoi rëndësinë që SHBA-të kanë për Kosovën dhe njëkohësisht edhe për rajonin dhe vlerësoi se vazhdimi i mbështetjes amerikane për vendin do të ndihmojë edhe stabilitetin por edhe sigurinë jo vetëm në Kosovë.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Hoyt Yee tha se SHBA-ja mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale.

Ai tha se SHBA do të jetë përkrah Kosovës në proceset e rëndësishme të zhvillimit demokratik të saj si dhe do ta mbështes në rrugën e integrimeve. Ai i inkurajoi institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, përmes vazhdimit të reformave të brendshme që ndihmojnë në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve të huaja, thuhet në njoftim. /Telegrafi/