UBT

Xhudistët kosovarë në kampin më të madh në botë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Tetë xhudistë kosovarë janë duke u paraqitur në kampin olimpik që po mbahet në Mittersill të Austrisë. Këtë kamp e organizon Federata Evropiane e Xhudos. Ky kamp llogaritet më i madhi në botë për xhudistë. Në të paraqiten mbi 680 xhudistë nga 30 vende të ndryshme.

Nga Kosova në kampin e Austrisë janë duke u paraqitur xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Leutrime Krasniqi, si edhe xhudistët Akil Gjakova, Korab Morina, Fatos Tabaku e Zymer Zekaj.

Mobi Casa

“Këtu bëhen përgatitjet e para të ekipeve që pretendojnë normën olimpike për ‘Rio 2016’. Në Austri është duke u kalitur një ekip i cili pretendon Lojërat Olimpike të Rios. Planin dhe strategjinë e kemi përgatitur, edhe pse po presim që Komiteti Olimpik i Kosovës të mendojë dhe të veprojë. Por deri më tani drejtuesit e KOK-ut janë në gjumë dimëror”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Driton Kuka. Ai udhëheq delegacionin kosovar në kampin që po mbahet në Austri. “Përderisa të gjitha komitetet olimpike të shteteve që pretendojnë suksese tanimë i kanë të gjitha planet e detajuara, në Kosovë kjo po vonohet. Po presim se çka do të ketë konkretisht për sportin i cili Kosovën e ka bërë shtet me normë olimpike, që është ëndërr për shumë shtete në botë”, ka shtuar Kuka.

Xhudistja Majlinda Kelmendi ishte sportistja e vetme nga Kosova që siguroi normën për LO “Londra 2012”. Ajo vlerësohet sportistja më e mirë në vend. Hapave të saj po shkojnë Nora Gjakova e Distria Krasniqi, shkruan sot “Koha Ditore”.