UBT

“Xhihadi i Kosovës” dyshohet se kërcënoi nga Bresalci

/ 4 minuta lexim

Letra kërcënuese e 12 nëntorit në drejtim të Policisë së Kosovës nga i ashtuquajturi “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë” dyshohet të jetë dërguar nga fshati Bresalc i komunës së Gjilanit aty ku edhe e kanë prejardhjen tre nga gjashtë të arrestuarit për përgatitje të terrorizmit.

Gjashtë personat janë arrestuar më datën 5 nëntor të këtij viti në Prishtinë e Gjilan nën dyshimin se po përgatisnin një sulm terrorist. Gjashtë ditë pas arrestimit janë publikuar në detaje arsyet e arrestimit të tyre dhe armatimi që të dyshuarve iu është gjetur në ditën e arrestimit.

Një ditë më vonë policia ka marrë një e-mail kërcënues nga “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë” të cilët përmes postës elektronike kanë kërkuar lirimin e gjashtë të arrestuarve. Në të kundërtën, policia do të pësonte sulme nga ky grup.

Qysh në ditën e marrjes së këtij e-maili, Policia e Kosovë ka nisur hetimin në disa pista për të vërtetuar se prej nga është dërguar e-maili kërcënues.

“Policia e Kosovës po heton në disa pista të dyshimta e që njëra nga to është fshati Bresalc i komunës së Gjilanit”, ka thënë një burim i gazetës teksa ka konfirmuar se deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar në lidhje me këtë kërcënim.

Sipas vendimit mbi të cilin është caktuar paraburgimi ndaj gjashtë personave, nga fshati Bresalc janë tre nga gjashtë të arrestuarit, Valon Shala, Genc Selimi e Musli Hyseni, derisa i arrestuari tjetër Ardian Mehmeti jeton në Gjilan, si dhe Nuredin Sylejmani e Bekim Mulolli në Prishtinë.

“Disa ditë pasi që i kanë arrestuar djemtë, policia ka qenë sërish në fshat dhe e ka kontrolluar njërën nga dy zyrat prej të cilave shpërndahet interneti në Bresalc”, ka treguar njëri nga banorët.

RCCOLA

Sipas burimeve të gazetës, Policia e Kosovës në përpjekje për të gjetur dërguesin e e-mailit kërcënues, ka marrë në pyetje deri më tani njërin nga shpërndarësit e internetit në fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit me qëllim që ky i fundit të ndihmojë në gjendjen e IP adresës së saktë prej nga edhe është kërcënuar Policia e Kosovës.

Por duke e cilësuar si të ndjeshëm këtë rast, Policia e Kosovës, zyrtarisht nuk jep detaje për rrjedhën aktuale të hetimeve.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se rasti në fjalë është duke u hetuar nga Policia e Kosovës në konsultim me prokurorin përkatës. Momentalisht nuk mund të publikojmë informacione lidhur me këtë hetim”, thuhet shkurt në një përgjigje të kthyer nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Kërcënimin ndaj policisë e kanë në duar vendorët derisa rastin e gjashtë personave tashmë të arrestuar për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit dhe atë të armëmbajtjes pa leje, e kanë marrë në duar zyrtarë të misionit EULEX.

“Ne mund të konfirmojmë se një prokuror i EULEX-it në Prokurorinë Speciale tashmë është duke u marrë me këtë rast”, ka njoftuar shkurt për gazetën, Zyra për Informim e Misionit EULEX.

Gjashtë të arrestuarit e 5 nëntorit do të qëndrojnë në paraburgim së paku një muaj, ngase kështu ka vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës në vendimin për caktimin e paraburgimit./zeri/