RCCOLA

Xhevat Ajeti, qytetar nga Lladova, ka pësuar dhunë seksuale…!

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Në luftën e fundit 1999, edhe fshatarët e Lladovës, komuna e Gjilanit, kanë pësuar mjaft shumë në njerëz. Nga ky lokalitet janë vrarë gjashtë të rinj nga paramilitarët serbë, si janë: Beqir Mahmuti (1953), Daut Mahmuti (1963), Ahmetali Ajeti (1969), Hevzi Ajeti (1970), motra e tij Ganimete Ajeti (1977) dhe Zijadin Mahmuti (1960). Por, nga ky fshat është vrarë me minahedhës, në Gjilan, edhe Xhemajl Ymeri në lagjen “Arbëria”. Këtu, në Lladovë, janë vrarë në pabesi nga dora e zezë e paramilitarëve serbe, të cilët deshën t’i frikësojnë qytetarët e këtij lokaliteti që t’mos kthehen më në vatrat e tyre stërgjyshore. Të vrarët janë varrosur nëpër oborre dhe, në vend të dërrasave, qytetarët e këtij fshati, kufomat e të vrarëve i kanë mbuluar me dyer të shtëpive. Por, jo vetëm kaq.

Në këtë kohë të rëndë, ka pësuar rëndë edhe Xhevat Ajeti (1968), nga fshati Lladovë. Ky qytetar, më 27 mars të vitit 1999, ishte në roje të fshatit. Roje kanë bërë edhe fshatarët tjerë, të cilët mezi e kanë shpëtuar më e keqja nga kjo natë e kësaj date. Në mëngjes, pasi i kanë varrosur viktimat me urdhrat e ushtarakëve serbë, ata kanë ikur kah sytë – këmbët. Dikush iku në Gjilan e dikush shkoi kah fshati Nasalë e Remnik.

E, Xhevat Ajeti, qytetar po nga ky fshat, rastësisht na rrëfeu këtë kohë kur e kanë keqtrajtuar paramilitarët serbë në kohën e luftës së fundit 1999. “Po, tha Xhevat Ajeti, qytetar nga Lladova, – kur i vranët bashkëfshatarët e mi, 6 sosh, paramilitarët serbë më morën edhe mua te xhamia e fshatit Lladovë. Aty, në kamionin e tyre e kishin vendosur axhën tim, Ahmetali Ajetin, të vrarë. Në kamion e kishin marrë edhe Nefail Ajetin e plagosur në këmbë. Atë e kanë lënë tek ambulanca e fshatit Bukrigë serbe, ndërsa Ahmetalinë dhe mua na quan në fshatin Partesh.

RCCOLA

Ahmetalinë e kanë kthyer në Lladovë. E kanë lanë mu te xhamia. Mua më lanë në Partesh dhe tek unë është përdorur dhunë gjatë tërë ditës në mënyrën më banale dhe më tmerruese e poshtërruese. Paramilitarët serbë më kanë zhveshur dhe më kanë përdorur dhunë psikike, morale dhe seksuale. S’di si kam mbetur gjallë. Këtë ngjarje e din krejt opinioni i Gjilanit. Sot jetoj, por jeta ime më është e rëndë. Nuk kam kushte normale për jetë. Tash për tash i marrë 120 euro në muaj. Kjo s’po më mjafton, sepse, herë pas here tek unë paraqitet depresioni dhe kam nevojë për shërim. E kam vështirë ta përballoj jetën që më është krijuar nga lufta e fundit 1999.

Ndonëse dali dhe shetis, sepse dua ta harroj atë kohë të rëndë që e kam përjetuar. Ndodh që çdo ditë dali e shetis se jam i traumatizuar nga ato momente jete. Unë jam trajtuar një kohë tek Qemajli, mjeku i Velekincës, por s’po shoh ndonjë përmirësim. Qe 12 vjet jam kah trajtohem tek ky mjek. Nuk po ndjehem aq mirë. Pas kësaj kohe, ta afërmit e mi më kanë transferuar në Gjermani. Këtu kam qëndruar 17 muaj, ku jam trajtuar në disa stacione mjekësore. Kam qëndruar 7 muaj në psikiatri. Mandej, mjekët gjermanë m’i kanë dhënë 25 terapi mjekësore që është dashur t’i mbaj ato, të cilat më kanë zgjatur dy apo tri vjet, por për shkak të kostos së shpenzimeve, më 4 prill (2015), më kanë kthyer në shtëpi. Ky kthim ishte me një arsyetim se nga Kosova kanë ardhur shumë dhe s’mundem të trajtohen më tepër. Tash jam në trajtim te mjekja Afërdita…, neuropsikiatre, ku qe tri vite po më trajton, por gjendja ime nuk është duke u përmirësuar, sepse po kam shqetësime, po e ndjej një të lodhur dhe jam pa fuqi. Po e ndjej një plogështi në vete.

Para pak ditësh shkova për t’u trajtuar tek mjekja Vjosa Devaja, në Prishtinë. Ajo më tha që ta rrëfej ngjarjen e ndodhur. Unë e rrëfeva “ngjarjen”, por pata emocione. Edhe ajo, nga ato rrëfime të mia, doli nga dhoma e trajtimit, ku pati emocione. S’di, po më mundon kjo “jetë” imja. S’mundem t’i iki asaj “jete” që më ka ndodhur. Kështu është jeta ime e lodhur prej një kohe. Tash jetoj me tre fëmijë me një ndihmë të vogël, e cila nuk m’i mbulon kërkesat elementare të familjes, – ka shtuar Xhevat Ajeti, qytetar nga Lladova, i cili ka pësuar rëndë në luftën e fundit 1999./tefik selimi/rajonipress/