Xherdani nuk pi birra e as nuk ha mish derri

Xherdan Shaqiri pret një përfundim të suksesshëm të sezonit me Bayern Munichun. Gjigantit Bavarez po i ecin punët mirë në të gjitha kompeticionet dhe mesfushori kosovar shpreson që ekipi i Jupp Heynckes të fitojë trofe të rëndësishëm.
Bayerni prin në Bundesliga me 20 pikë epërsi ndaj ndjekësve, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka gjasa të mira të shkojë në çerekfinale, pas fitores 3:1 në ndeshjen e parë me Arsenalin në Londër. Ndërkaq, ata kanë ecur përpara edhe në Kupën e Gjermanisë.
“Kampionati është obligim për ne ta fitojmë. Triumfi në DFB Cup do të ishte i bukur, ndërsa sa i përket Ligës së Kampionëve, nëse e fitojmë do të ishte fantastike”, deklaroi 21 vjeçari për magazinën zvicerane Blick.
Futbollisti gjilanas ka folur edhe për jetën jashtë fushës së blertë. Ai tregon se kur kishte shkuar në Munich në shkurt të vitit të kaluar për të biseduar me drejtuesit e Bayernit, gati sa nuk e kishte pësuar vdekjen, duke u munduar të ikte nga paparaci, për pak ishte përplasur me një kampion.
Shaqiri ka zhvilluar 25 ndeshje këtë edicion, një numër jo i vogël për një lojtar të ri në moshë dhe në ekip të ri. Ish futbollisti i Baselit e ka përsëritur edhe një herë se nuk pi birra e as nuk ha mish derri, sepse është mysliman. Ai në fund tha se shqiptarët mund t’i gjesh në tërë botën, siç ka edhe në Munich, ku jeton Shaqiri.(express)