Xherdan Shaqiri e shkruan historinë
Xherdan Shaqiri është njëri prej futbollistëve më të suksesshëm që përfaqëson shqiptarët kudo në botë. Në karrierën e tij 27-vjeçari ka arritur dy herë të kualifikohet në finalen e Ligës së Kampionëve. Një herë me Bayern Munichun dhe në mbrëmjen e së martës këtë sukses e arriti me skuadrën e Liverpoolit. Pas ndeshjes gjysmëfinale me Barcelonën, mesfushori nga Zhegra e Gjilanit është shprehur tejet i emocionuar për këtë sukses, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kampionëve të zhvilluar mes Liverpoolit dhe Barcelonës Xherdan Shaqiri e kishte shansin të luante nga minuta e parë për shkak të mungesës së Mohamed Salah, i cili nuk arriti të rikuperohej me kohë për këtë ndeshje.
Trajneri Jurgen Klopp nuk gaboi që zgjodhi Shaqirin, pasi u kontribuoi në fitoren 4:0 të “Të Kuqve”, duke asistuar te goli i tretë i shënuar nga mesfushori Gini Wijnaldum.
Me këtë fitore Liverpooli e ka arritur finalen e madhe, që do të zhvillohet në Madrid më 1 qershor.
Liverpooli arriti fitore me rezultat 4:0, për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë prej 3:0 të arritur nga Barcelona.
Shaqiri në këtë ndeshje luajti rreth 90 minuta, ndërkaq ai është shprehur më se i lumtur për kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve, ndeshje e cila do të zhvillohet në stadiumin “Wanda Metropolitano”, në Madrid. “Është e vështirë të gjesh fjalë për një ndeshje të tillë. Jam jashtëzakonisht krenar me këtë ekip, me çfarë ka arritur”, nis prononcimin Xherdan Shaqiri me kanalin zyrtar të klubit të Liverpoolit.
“Është e mahnitshme ajo që ndodhi këtu, jam i tronditur”
Mesfushori shqiptar me tipare sulmuese, Xherdan Shaqiri, ndër të tjera tha se ndihet shumë krenar. “Është e vështirë të gjesh fjalë për një ndeshje të tillë. Jam jashtëzakonisht krenar me këtë ekip çfarë ka arritur. Ne nuk kishim një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë, por ne besuam dhe luftuam shumë duke ngritur performancën e lojës sonë. Është e mahnitshme ajo që ndodhi këtu, jam i tronditur. Është e papërshkrueshme se çfarë kemi arritur”, tha ndër të tjera futbollisti.
Një faktor vendimtar në rikthimin sensacional Shaqa mendon se i sheh tifozët në “Anfield”. “Ne e dinim se ishim një fuqi në shtëpi. Tifozët tanë janë në gjendje të japin shpirtin dhe kjo na shtyn të luajmë edhe më mirë. Ne duhet të shënonim gola dhe e bëmë këtë. Siç thashë, është aq e vështirë që të gjesh fjalë për ta përshkruar. Mund të them vetëm se kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Kjo nuk ndodh çdo ditë”, vlerësoi ai. “Nuk ishte e lehtë për mua në tre muajt e fundit. Unë nuk luaja aq shumë, por gjithmonë prisja shansin tim, stërvitja shumë. Ky është futbolli, ky është një klub i madh, ju duhet të sillni punën tuaj. Kjo është arsyeja pse kam bërë një punë të shkëlqyer këtë sezon. Natyrisht nuk ishte e lehtë të luhej nga fillimi pas tre muajsh. Por, unë e ndjeva dhe rezultoi me lojë të mirë në fushë”, përfundoi 27-vjeçari.
“Baticat dhe zbaticat” e Xherdan Shaqirit në “Anfield”
Shaqiri u transferua në Liverpool në verën e vitit të kaluar nga Stoke City për vlerën e 13 milionë funtesh, ndërsa aventurën në “Anfield” e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Madje ai u tregua vendimtar edhe në derbin ndaj Manchester Unitedit në pjesën e parë të këtij edicioni në Premierligë, duke shënuar dy golat e fitores 3:1 në “Anfield” ndaj rivalit të urryer.
Megjithatë, gjërat ndryshuan totalisht pas periudhës së Krishtlindjeve, ku ish-futbollisti i Bayern Munichut injorohej vazhdimisht nga trajneri Jurgen Klopp.
Që nga minuta e parë ndaj Barcelonës ishte hera e parë që Shaqiri starton për Liverpoolin që prej muajit shkurt.
Në përgjithësi Xherdan Shaqiri ka bërë 30 paraqitje për Liverpoolin këtë edicion në të gjitha garat, ku ka shënuar gjashtë gola, si dhe ka dhuruar pesë asistime, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Mbetet të shihet nëse Xherdani do të pranojë të mbetet në “Planin B” të Jurgen Kloppit ose do të vendosë të largohet nga klubi në afatin kalimtar veror.
Askush si Shaqiri, shqiptari i parë me dy finale të Ligës së Kampionëve
Tashmë më 1 qershor Shaqiri do të jetë përsëri në një finale të Ligës së Kampionëve.
Mesfushori gjilanas finalen e parë të Ligës së Kampionëve e arriti me Bayern Munichun në vitin 2013, kur edhe triumfoi ndaj Borussia Dortmundit me rezultat 2:1.
Në këtë finale u inkuadrua në minutat e fundit të ndeshjes, andaj vetë lojtari shpreson të luajë më shumë në finalen e Madridit dhe të dytën në karrierë për të.
Sot Shaqiri e ka në shtëpi medaljen e titullit të fituar të Ligës së Kampionëve, çmim të cilin nuk e ka asnjë futbollist shqiptar.
Andaj Shaqiri dëshiron që suksesi i tij në Evropë të vazhdojë edhe këtë edicion dhe ta dërgojë medaljen e dytë në shtëpi./Zëri.info


