Xhemajl Salihu i quan konfuze deklarimet e komisionit për shëndetësi të AAK-së

Gjilan – Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, reagon ndaj deklarimeve të Komisionit për shëndetësi të AAK-së.
Me këtë rast drejtori Xhemajl Salihu ka thënë se konferenca e Komisionit për shëndetësi të AAK-së, ishte konfuze ngase nuk e adresojnë “kolapsin” se në cilin nivel është, atë primar apo sekondare.
Gjendja në shëndetësinë primare në Komunën e Gjilanit asnjëherë nuk ka qenë më mirë se sa nga ardhja e PDK-së në qeverisje. “Ne këtë e bazojmë me argumentet e fuqishme praktike që i kemi dhe nga konstatimi i vet komisionit për shëndetësi të AAK-së, gjatë vizitës së drejtorit të shëndetësisë në Gjilan, ku ata kanë konstatuar se është për tu admiruar efikasiteti i kësaj drejtorie dhe për faktin se këtë drejtori nuk e ka përshkuar asnjë aferë gjatë këtij mandati” ka thënë në reagimin e tij Xhemajl Salihu.
Me pak fjalë do ta përshkruajmë aktivitetin tonë. Vetëm për këtë gjashtë – mujor, kemi pas rreth 120 mijë vizita shëndetësore, që është numër i konsiderueshëm dhe asnjë ankesë me shkrim nga qytetarët. Një rrjet të mirë shëndetësor, ku mbulohet e tërë Komuna e Gjilanit. Rreth 5 vizita nga inspektorati shëndetësor i MSH-së, ku konstatohet se çdo gjë funksionon në bazë të ligjit të shëndetësisë.
Kemi rritur kapacitetet, në shërbimin stomatologjik në lagjen e Arbërisë, kemi përuruar QMF në fshatin Bresalc, kemi hapur një qendër për trajtim ditor të fëmijëve me aftësi të kufizuara në bashkëpunim me Komisionin Evropian, kemi bërë marrëveshje me Karitasin e Kosovës për trajtim shtëpiak të pacientëve kronik me gjendje të rënduar sociale, renovim i tërësishëm pothuajse i përfunduar i ambulantes në fshatin Kishnapole, renovimi në proces i ambulantes në fshatin Llashticë.
Ne e kemi thënë publikisht se kemi herë pas here mungesë me furnizim me barna nga lista esenciale dhe që nuk është obligim i yni por i MSh-së, por për këtë arsye qeveria komunale, ka rrit buxhetin në shëndetësi dhe ne për këta gjashtë muaj rreth 20 mijë euro u kemi shpërndarë qytetarëve për blerjen e barërave. Se qeveria komunale në Gjilan, kujdeset për shëndetin publik dëshmon edhe projekti i dezinsektimit dhe dezinfektimit.
Ne e kemi thënë edhe më herët se akoma jemi larg për t’u konstatuar se kemi shëndetësi evropiane, por me mburrje e themi se ne kemi përkushtimin për ta dërguar shëndetësinë në nivel evropian thuhet në reagimin e Salihut./rajonipress/