Eko Higjiena

Xhemaili, Mustafi e Mehmedi: Për të tjerët heronj, për Maqedoninë ‘nuk ekzistojnë‘

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Mediet maqedonase vazhdojnë të injorojnë tre futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, që luajnë në botërorin “Brazil 2014”.

Admir Mehmedi dhe Shkodran Mustafi nga Gostivari si dhe Blerim Xhemaili nga Tetova, janë ‘tre musketarët’ që po mbretërojnë dhe po shfaqen në formë të shkëlqyer në botëror në kombëtaret e Zvicrës dhe Gjermanisë. Ata po luajnë përkrahë lojtarëve të dy kombëtareve më të pasura dhe prestigjioze.

Por gjithë këto emocione të këtij botërori, po shoqërohen edhe me veprimet skandaloze të medieve në gjuhën maqedonase.

Kjo vërehet në komentimin e ndeshjeve nga televizioni publik Radiotelevizioni i Maqedonisë, ku gazetarët maqedonas nuk flasin apo injorojnë praninë e shqiptarëve nga Maqedonia, transmeton albinfo.ch.

Janë shumë reagime të qytetarëve që shprehin revoltën se si veprohet me këtë sjellje turpëruese dhe të qëllimshme, ku fshihet e vërteta dhe tregohet një shpirtngushtësi kundër tre shqiptarëve.

Edhe gazetat me fillimin e botërorit kanë shkruar për emocionet dhe ethet që sjell botërori në Maqedoni, por duke shkruar se Maqedonia nuk është e pranishme në këtë ngjarje të rëndësishme të futbollit dhe se askush nuk përfaqëson, duke injoruar apo fshehur qëllimisht emrat e tre futbollistëve profesionistë shqiptarë.

Mediet rajonale dhe ndërkombëtare kanë shkruar për dy shqiptarët nga Maqedonia që luajnë në botërore.

Gazetarët shqiptarë këtë veprim e quajnë tejet skandaloz dhe joprofesionist.

RCCOLA

Një sjellje e tillë është ndjekur edhe në ndeshjen Gjermani – Gana, me rastin e inkuadrimit të gostivarasit Shkodran Mustafi. Redaktori sportiv, Reshat Ibrahimi nga gazeta “Lajm” përcjellë në profilin e tij sjelljen e tillë skandaloze të gazetarëve maqedonas të RTVM.

“Ja se si e komenton komentatori i MTV1 momentin e inkuadrimit të Shkodran Mustafit ne lojë në ndeshjen Gjermani-Gane: “Në lojë hyn Shkodran Mustafi, shqiptar i lindur ne Gjermani me origjinë nga Shqipëria!”. Harron se Mustafi është me origjinë nga Gostivari!”, shkruan Ibrahimi.

Lidhur me këtë, gazetari Ibrahimi thekson se është jo e hijshme dhe joprofesionale një sjellje e tillë e këtyre komentuesve maqedonas. “Unë nuk besoj se ata nuk i njohin lojtarët që janë nga Maqedonia dhe për të cilët po bëhet shumë publicitet. Si nuk mund ti njohin kur po arrijnë të sigurojnë informata për lojtarë afrikanë e aziatikë. Është e sigurt se dinë gjithçka, por nuk kanë vullnet, nuk kanë shpirt dhe ndoshta nuk u vjen mirë që ata janë në botëror. Ata rrinë me kolegët e tyre shqiptarë në RTVM dhe s`e besoj se nuk kanë njohuri. Por duhet të përmirësohet kjo sjellje e tyre”, thekson për albinfo.ch, Reshat Ibrahimi.

Publicisti dhe gazetari Mehmet Latifi gjithashtu vlerëson se bëhet fjalë për një injorim poshtërues. Sipas tij, kjo tregon identitetin dhe pasqyrën e vërtetë të këtyre medieve apo të këtij vendi të mbërthyer dhe ngarkuar me nacionalizma dhe frymë diskriminuese.

“Kjo është e vërteta se ky vend është këtu dhe nuk mund të shkojë përpara me këto sjellje edhe në këtë sferë. Kur Zvicra ka 5 shqiptarë në kombëtaren e saj dhe krenohet vazhdimisht. Maqedonia vazhdon me diskriminimin e shqiptarëve, duke përfshirë mezi 2 apo 3 shqiptarë dhe duke i injoruar, por edhe duke i fyer me racizëm nëpër stadiume. Mehmedi, Xhemaili dhe Mustafi duhet të shfrytëzohen për promocion dhe publicitet të vendit, se edhe ne jemi të përfaqësuar si vend dhe jo me mbrapshtësi”, nënvizon Latifi.

Ai thotë me tej se nuk habit fakti se ata nuk përmenden sepse nuk i përkasin etnisë maqedonase.

Gazetarët sportive maqedonas të RTVM nuk duan të komentojnë këto ngjarje, ndërsa gazetarë të pyetur të medieve tjera theksojnë se nuk transmetojnë ndeshjet përveç servisit publik dhe se ata nuk kanë pasur rastin të shkruajnë reportazhe të gjëra për kombëtaret siç janë Zvicra apo Gjermania.