Xhelili: Të formohet një grup punues, për pritjen e mërgimtarëve gjilanas
Gjilan – Gjilani, është njëra ndër komunat, që ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të saj që jetojnë dhe veprojnë në shtetet perëndimore, të cilët, gjithmonë, janë treguar një dorë e zgjatur për ta ndihmuar Anamoravën dhe Kosovën në përgjithësi. Meqenëse sezoni veror po afrohet, duhet të shtohen përgatitjet, që kjo kategori vitale e shoqërisë sinë të pritet në mënyrë tradicionale thotë Selver Xhelili.
“Gjilani, njihet si një qytet, që ka shumë familjarë në mërgim. Në kuadër të kësaj komune duhet të formohet një grup punues, në mënyrë që pritja e bashkatdhetarëve, të bëhet në mënyrë profesionale. Të krijohet një ambient miqësor, në mënyrë që kjo kategori e shoqërisë sonë, të ndihet sa më komod, në gjirin familjarë”, thekson Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan.
Ardhja e mërgimtarëve, për të pushuar në vendlindje dhe për t’u çmallur me të afërmit e tyre, gjallëron Gjilanin, duke e kthyer këtë qytet, në një ftesë të vërtetë. Gjatë sezonit veror, gjithashtu, kur vijnë mërgimtarët, krijohet një atmosferë e këndshme edhe për afaristët shqiptarë, të cilët i shtojnë të hyrat e tyre, më shumë se sa stinëve të tjera të vitit kalendarik. “Të gjitha institucionet komunale, duke filluar nga shërbimet administrative, policia, gjykata, dogana etj, duhet t’i shtojnë përgatitjet, në mënyrë, që të krijojnë kushte sa më të mira, madje edhe lehtësuese për mërgimtarët. Ata, janë një resor fitimprurës i komunës, i cili vjen nga vende të ndryshme të botës, për të pushuar dhe harxhuar në vendlindje. Ndaj, ne si qytetarë të Komunës së Preshevës, duhet t’i presim sa më të organizuar, sa më mirë, me një sjellje perfekte”, konstaton z. Xhelili.
Republikanët kërkojnë nga organet kompetente, të Komunës së Gjilanit, që në muajin e sezonit veror, të jenë sa më të mirësjellshëm dhe tolerant, për shkak respektit, që ushqejmë për bashkatdhetarët tanë, që punojnë dhe veprojnë në diasporë. Administrata komunale, duhet t’i shtoj shërbimet e veta, në suaza të ligjit, me orë shtesë të punës, me personel shtesë për lehtësimin e procedurave shërbyese, thuhet mes tjerash në deklaratat e z. Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan./rajonipress/


