Mobi Casa

Xhelili: Sporti gjilanas, meriton më shumë financim

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Klubet sportive të Komunës së Gjilanit, përballen me probleme të natyrës financiare, të cilat duhet të subvencionohen më shumë nga buxheti komunal, në mënyrë që të mos mungojnë rezultatet thotë Selver Xhelili.

Sipas Xhelilit gjatë viteve 2010 – 2013, kishte më shumë investime në infrastrukturën sportive, duke i falënderuar bashkëpunimit të mirë mes organeve kompetente komunale dhe përfaqësuesve të klubeve sportive. “Gjatë kësaj periudhe kishte një lulëzim të kulturës sportive. Ne arritëm t’i ndihmojmë klubet, duke i organizuar udhëtimet falas, me transport sipas standardeve bashkëkohore e jo si tashti me një makinë kombi e maltretime të tjera udhëtimi”, thekson Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan.

Fundamenti

“Pavarësisht këtyre kushteve të vështira, këto klube arritën t’i mbrojnë ngjyrat dhe mos të bien nga liga, falë vullnetit të tyre dhe dashurisë që kanë për këtë sferë nga më të ndjeshmet të shoqërisë sonë”.

Xhelili, gjithashtu, përmend kohën e para gjashtë viteve, kur ai ishte në qeverisje lokale, të cilat ato vite i quan të arta për sportin gjilanas, ngase me ndihmën e buxhetit komunal u investua në stadiumin e qytetit, duke i krijuar sportistëve kushte të mira për aktivitete. “Për këto të arritura e dinë mirë klubet sportive dhe dashamirët e sportit, ngase kishte më shumë investime jo vetëm në Palestrën sportive, por edhe në shumë drejtime të tjera. Ajo kohë e vullnetit të mirë, për të investuar në sportin gjilanas, tani mungon. Rezultatet sportive, që shkëlqenin dikur, në mungesë të fondeve vendnumërojnë. Afër 25 klubet sportive, që kishin dikur trajtim të barabartë sipas preformancave në terren, tani ata mezi e mbajnë gjallë frymën ekzistenciale. Ndihma selektive e këtyre klubeve, ka shkaktuar një zhgënjim ndër sportistët, të cilët pak janë të motivuar për ta kultivuar sportin në këtë komunë. Sportistët nuk duhet të jenë të ngjyrosur politikisht dhe të bien pre e subjekteve politike pushtetare, ngase në klubet sportive përfshihen kryesisht të rinjtë, të cilët janë shpresa dhe ardhmëria e sportit kosovar”, shprehet Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan./rajonipress/