Xhelili: Republikanët e Bujanocit, do të jenë pjesë e pushtetit lokal dhe qendror

Gjilan – Republikanët e Kosovës, Dega në Gjilan, përkrahin fuqishëm qëndrimin e Republikanëve të Bujanocit, për të marrë pjesë aktive në të gjitha nivelet e zgjedhjeve të parakohshme në Serbi.
Pjesëmarrja e komunitetit shqiptar në proceset zgjedhore e posaçërisht në ato parlamentare përmes Partisë Republikane, do të sensibilizoj problemin e Luginës së Preshevës, duke ngritur, zhvilluar dhe afirmuar statusin politik të popujve pakicë në Serbi thotë Selver Xhelili.
Xhelili tha se Republikanët e Kosovës, Dega në Gjilan, do të jenë një zë i fuqishëm i vëllezërve të tyre republikanë në Bujanoc, që zgjedhjet për pushtet lokal dhe qendror, të jenë sa më të organizuara dhe dinjitoze.
“REK, Dega në Gjilan, apelon te anëtarësia e kësaj partie dhe më gjerë, që qytetarët e Malësisë së Bujanocit, të cilëve akoma nuk u skaduar afati i dokumentacioneve, të mobilizohen për ta kryer obligimin qytetar në këto procese shumë të rëndësishme për fatin e tyre në Gjilan dhe të vëllezërve të tyre në Bujanoc”.
Xhelili mendon se vota e tyre është një armë e fuqishme, në dorën e demokracisë, për të bërë reforma në pushtetet lokale dhe qendrore, në mënyrë që problemet e tyre rreth qarkullimit të lirë, pasivizimit të vendbanimeve, shlyerjen nga evidenca e gjendjes civile, të marrin fund. “Vetëm të bashkuar rreth republikanëve, do të vijnë ditë të mbara edhe për vëllezërit tanë në Luginë të Preshevës, përkatësisht në Malësinë e Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe Medvegjës, të cilët edhe pas 15 vjet të proceseve politike, problemet mbetën po ato të mëparshmet, të cilat sollën edhe konfliktet e armatosura në Luginë të Preshevës, thuhet në kumtesën e Republikanëve të Kosovës, Dega në Gjilan”, të nënshkruar nga kryetari i saj Selver Xhelili./rajonipress/