RCCOLA

Xhelili: Qeveria Mustafa, ka dështuar në të gjitha drejtimet

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Rinia, ardhmëria e Kosovës, gjithnjë e më tepër, po futet në një lum pa shpresa, për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Isa Mustafa, ka dështuar në të gjitha drejtimet, duke llogaritur edhe sferën e avancimit të rinisë kosovare thotë nënkryetari i Republikanëve Selver Xhelili.

Xhelili thotë se kjo Qeveri, që po ecën drejt fundit të saj, nuk ka një koncept të qartë dhe pragmatik, se si të tejkalohet gjendja e rëndë dhe e mjerueshme, në të cilën ka rënë rinia jonë. “Ngërçi politik dhe kolapsi ekonomik, janë shqetësimi më i madh për qytetarët e Kosovës dhe rinisë, e cila po përballet me një varfëri ekstreme. Në mungesë të kushteve elementare për punësim dhe shkollim, kjo rini, e ka problem për t’i realizuar ëndrrat e saja, ndaj shpëtimin e kërkon jashtë shtetit, të kapur nga korrupsioni, nepotizmi dhe arrogance institucionale”.

Fundamenti

Sipas Xhelilit nuk ka avancim të rinisë kosovare, për derisa politikat e Qeverisë Mustafa, nuk e ndryshojnë qasjen ndaj kësaj kategorie nga më të rrezikuarat të shoqërisë sonë. “Nuk është Azili, metodë për ta zbrazur Kosovën nga pjesa më vitale e shtetit tonë, e cila ka nevojë për elan të ri, për vizion dhe për një rini të shëndoshë, përparimtare dhe demokratike. Nuk di, se si një kryeministër, si ky Mustafa, rri i qetë, rehat dhe komod, para një gjendje kaq të rëndë dhe shqetësuese të rinisë kosovare dhe nuk ndërmerr hapa konkretë për tejkalimin e kësaj katrahure, në të cilën është katandisur rinia shqiptare. Nuk është aspak e ndershme dhe e logjikshme për këtë Qeveri, që të mos reflektoj me programe e platforma konkrete, për t’i ndryshuar politikat në favor të ngritjes së statusit të rinisë, i cili aktualisht gjendet shumë larg standardeve evropiane. Si e ndien veten, kryeministri Mustafa, kur sheh se 80 për qind e të rinjve rrinë rrugëve pa punë, pa mundësi të shkollohen dhe të integrohen në jetën politike dhe ekonomike të vendit”.

Xhelili shton se kur duhet ta kuptoj zoti Mustafa, se rinia e Kosovës, ka nevojë për një përkujdesje më të madhe. “Dallimet në mes kësaj gjenerate të re, të zhytur në pellgun e mjerimit social e ekonomik, karshi asaj rinie e cila i takon klasës politike institucionale borgjeze, janë të mëdha dhe anticivilizuese. Do të vijë një ditë jo fort larg, kur rinia do ta ndëshkoj politikën e keqe, që e udhëheq z. Mustafa, i cili duhet të kërkoj falje e të pendohet për gjendjen e rëndë në të cilën e ka future, jo vetëm rininë, por edhe Kosovën në përgjithësi”, thekson Selver Xhelili, nënkryetar i Republikanëve të Kosovës./rajonipress/