Xhelili: Nuk mbyllet lehtë Inspeksioni, kemi rritur performancën për 100%

Gjilan – Selver Xhelili drejtor i inspeksionit komunal duke folur për shqetësimet e opozitës rreth vendosjes së drynit këtij sektori tha për rajonipress se nuk mbyllet lehtë ky sektor. Kemi rritur 100 % performancën në këtë drejtori dhe kemi rezultate shumë inkurajuese thotë ai.
Xhelili thotë se çelësi i drejtorisë së inspeksionit për ta mbyllur ose jo gjendet tek ai, por sipas tij ajo do të bëhet nëse është në interes të kuvendit dhe qeverisjes lokale.
Këto komente Selver Xhelili i bëri për rajonipress pas reagimit të Riad Rashitit se Lutfi Haziri po e mbyll drejtorinë e inspeksionit komunal.
Xhelili i përkujton pozitën dhe opozitën se nga periudha njëvjeçare e qeverisjes së tij në këtë drejtori rezultatet janë të mira sepse është arritur një disiplinë dhe përgjegjësi shumë më efikase edhe pse kemi pasur 8 inspektor më pak.”Me këtë ekip që kemi pasur kemi arritur një performancë 100 % më të lartë krahasuar me vitin 2013 dhe për këtë kemi fakte sepse kemi arritur t`i stopojmë ndërtime pa leje”.
Xhelili tha se në drejtorinë e inspeksionit ka krijuar rend e rregull edhe pse thotë se ka shumë pengesa dhe armiq, por vullneti, dëshira dhe gatishmëria e jonë bënë që vërtet për një kohë shumë të shkurtër ta stabilizojmë punën dhe të arrijmë rezultatin e dëshiruar. “Duke pasur këto rezultate mendoj se akuzat në drejtim të inspeksionit janë të pabaza dhe të paqëndrueshme. Drejtoria e inspeksionit është në nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe detyrave të saj dhe këtë e dëshmon që për një vit nuk kemi pasur asnjë aferë apo parregullsi sepse ishim dhe do të jemi në shërbim të qytetarëve” tha Xhelili.
Xhelili megjithatë thotë se ende nuk e dinë qëllimin apo arsyen e shpërbërjes së drejtorisë së inspeksionit komunal. “Ndoshta ata të komisionit për ndryshimin e statutit e kanë menduar mirë këtë punë edhe pse duhet të shikohet në ditët në vijim”.
Xhelili ndërkaq njihet si njëri nga partnerët më serioz dhe më të sinqertë të Lutfi Hazirit. Ai hyri në koalicion me LDK në kohën më delikate për kandidaturën e Hazirit dhe realisht shumë përkrahës apo vrojtues të zhvillimeve politike shpërbërjen e inspeksionit e shohin edhe si “goditje” apo tradhti të Lutfi Hazirit ndaj Selver Xhelilit.
Por edhe për këtë shqetësim Xhelili ka një përgjigje.”Këtu nuk ka vend për kurrfarë tradhtie as përçarje sepse unë i kamë dalur zot dhe besnik Lutfi Hazirit edhe me marrëveshjen e arritur më herët dhe nuk e kemi zakon familjar të tradhtojmë asnjë partner. Haziri i ka politikat e veta lokale dhe ai e ka vlerësuar mirë punën time dhe me përgjegjësi do e kryejë çfarëdo detyre edhe në të ardhmen që lidhet me inspeksionin komunal. Thjeshtë do të marrë atë që më takon” tha Xhelili./rajonipress/