Xhelili: Asnjë tolerim për ata që e shkelin ligjin

Gjilan – Kësaj here inspeksioni nuk pat mëshirë, gjobiti me dënime të rënda të gjithë ata që nuk i mirëkuptuan gjobat minimale që u ndërmorën më herët. Drejtoria e Inspeksionit paralajmëron se nuk do ketë më asnjë tolerim për ata që e shkelin ligjin. Aksioni i parë ishte me gjoba minimale prej 50 euro, ndërsa nga aksioni i dytë që ka filluar nga sot janë shqiptuar gjoba prej 500 eurosh për menaxherët, ndërsa 3000 për bizneset, ka thënë Selver Xhelili.
Drejtoria e Inspeksionit komunal të Gjilanit, në një aksion që ka ndërmarrë për zbatimin e ligjit të duhanit në hapësirat e mbyllura, brenda 12 orëve ka shqiptuar gjoba të shumta si për konsumuesit që janë zënë në flagrancë, ashtu edhe menaxherët e pronarët e disa lokaleve.
Drejtori i Inspeksionit, Selver Xhelili, i cili së bashku me inspektorët ka dalë në terren, ka thënë se meqë gjobat e mëhershme minimale nuk u përfillen nga qytetarët, kësaj radhe janë shqiptuar gjoba të rënda për t’i vetëdijesuar qytetarët që ta zbatojnë ligjin e duhanit.
“Kësaj here inspeksioni nuk pat mëshirë, gjobiti me dënime të rënda të gjithë ata që nuk i mirëkuptuan gjobat minimale që u ndërmorën më herët. Drejtoria e Inspeksionit paralajmëron se nuk do ketë më asnjë tolerim për ata që e shkelin ligjin. Aksioni i parë ishte me gjoba minimale prej 50 euro, ndërsa nga aksioni i dytë që ka filluar nga sot janë shqiptuar gjoba prej 500 eurosh për menaxherët, ndërsa 3000 për bizneset”, ka thënë Xhelili.
Drejtori i Inspeksionit ka thënë se do të jenë në vëzhgim 24 orë dhe do të jenë të pakompromis për të gjithë qytetarët që nuk me zbatojnë ligjin e duhanit.
Ai tha se do të vëzhgohen lokalet e mbyllura të restoranteve, kafiterive e ahengjeve edhe pas orës 23:00 dhe në këtë mënyrë do të arrijmë që të respektohet ligji 100 për qind në Komunën e Gjilanit./rajonipress/