Fundamenti

Xhavit Ahmeti ishte një intelektual i shquar, vizionar dhe i përkushtuar ndaj dijes dhe çështjes kombëtare

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Sot bëhen 29 vjet (25.10.1952–21.11.1996) që ai mungon mes nesh, profesor, studiues, ekspert i arsimit dhe ish-këshilltar i Presidentit Ibrahim Rugova. Njeri i qetë, i pjekur dhe punëtor i jashtëzakonshëm, Xhavit Ahmeti u nda nga jeta para kohe, teksa punonte për çlirimin e arsimit shqip dhe afirmimin e pavarësisë së Kosovës. Ai ishte figurë madhore e kombit, që punoi pareshtur për çështjen atdhetare dhe për të mirën e shoqërisë. Idealet e tij ishin të qarta, shkollë shqipe të lirë, dinjitoze dhe të pavarur. Vdiq duke kryer një mision të shenjtë, mision të cilin e kishte përqafuar me bindje të plotë dhe me vizion të largpamës. Punën e deshi dhe e nderoi thellësisht, por nuk pati mundësi ta gëzonte kohën e lirë të vendit për të cilin punoi pareshtur.

Në përballje me apartheiden serb ndaj arsimit shqip, ai tregoi guxim dhe vendosmëri. Xhavit Ahmeti ishte ndër të parët që ndërmori hapa për mbijetesën e shkollës shqipe në kushtet e dhunës, diskriminimit dhe përjashtimit institucional. Puna dhe angazhimi i tij u ndërprenë tragjikisht, por idealet nuk u shuan, vepra e tij jeton e nderohet në shkolla, fakultete dhe institucione ku ai la gjurmë të pashlyeshme.

I lindur në Përlepnicë të Gjilanit në vitin 1952, ai përfundoi shkollimin fillor në vendlindje, shkollën Normale në Gjilan dhe më pas studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega e Kimisë, në Universitetin e Prishtinës, të cilat i kreu me sukses të lartë. Ishte studiues i zellshëm dhe njeri me kulturë të gjerë, i dashuruar me dijen dhe me librin. Përveç kimisë, ai ushqente adhurim të veçantë për letërsinë, shkruante poezi dhe lexonte autorë të mëdhenj botërorë si Dostojevski, Jesenini e Kadareja.

Karriera e tij akademike përfshiu punën si profesor në Akademinë Pedagogjike (ish-Normale), profesor në gjimnazin “Zenel Hajdini”, e më pas si asistent i kimisë në Universitetin e Prishtinës. Brenda një periudhe të shkurtër përfitoi titullin magjistër e pastaj doktor i shkencave të kimisë në Universitetin e Zagrebit. Ai zotëronte disa gjuhë të huaja, përkthente literaturë shkencore dhe la pas vetes projekte të rëndësishme në fushën e kimisë.

Uji Dea

Në kohën kur arsimi shqip u përball me brutalitetin e regjimit serb, Xhavit Ahmeti u emërua Këshilltar i Presidentit Rugova për çështjet e arsimit. Ai punoi me përkushtim për riorganizimin e shkollës shqipe, kthimin e nxënësve dhe mësimdhënësve në objektet shkollore dhe orientimin e arsimit drejt mbijetesës institucionale. Më 9 shtator 1995, mbajti në Gjilan një ligjëratë të rëndësishme mbi riorganizimin e arsimit shqip, duke theksuar nevojën e meritokracisë, bashkimit dhe largimit nga ambiciet përçarëse.

Fjala e tij la gjurmë dhe u prit me respekt e pa kundërshtime. Ai ndikoi në zgjedhjen e drejtuesve profesionalë të shkollave dhe veproi me vizion të qartë për të ardhmen e arsimit shqiptar. Për komunitetin arsimor, ai mbetet shembull i intelektualit të ndershëm, i shkencëtarit të përkushtuar dhe i atdhetarit të qetë, por të vendosur.

Xhavit Ahmeti humbi jetën më 21 nëntor 1996, në një aksident trafiku, ndërsa ishte në një udhëtim zyrtar për çështje të arsimit. Ikja e tij e hershme la boshllëk të madh, por vepra dhe trashëgimia e tij mbeten të gjalla dhe vazhdojnë të frymëzojnë brezat. Ai mbetet një nga figurat më të rralla të intelektualitetit shqiptar, njeri i diturisë, karakterit dhe vizionit, që do të kujtohet me respekt dhe admirim përgjithmonë./rajonipress.