Xhandarmëria serbe sërish provokon në Karaqevë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Xhandarmëria serbe sërish ka hyrë në brendi të territorit të Kosovës tek vendi i quajtur “Rruga e Breznicës”. Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë tha për rajonipress se për këtë provokim të xhandarmërisë serbe i ka njoftuar të gjitha organet e sigurisë, duke përfshirë edhe zyrën e presidentes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Rreth 7 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë hyrë në brendi të territorit të Kosovës, saktësisht tek vendi i quajtur “Rruga e Breznicës”.

Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë tha për rajonipress se xhandarmëria serbe ka hyrë në Kosovë këtë fillim javë, pa përcjellje të KFOR-it dhe pjesëtarëve të EULEX-it.

Fundamenti

“Isha i shqetësuar nga ky provokim i serbëve dhe menjëherë i kam njoftuar të gjitha organet e sigurisë duke përfshirë edhe zyrën e presidentes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Një kohë ishim të qetë nga këto provokime, por me këtë veprim të xhandarmërisë serbe po dëshmohet se ajo është një ushtri e padisiplinuar dhe e etur për konflikte” tha Lenjani.

Ndryshe, Lenjani thotë se policia e Kosovës përkundër interesimit të treguar kohëve të fundit është e pafuqishme që të përballet me këto provokime. “Ne kemi kërkuar disa herë vendosjen e ushtarëve të KFOR-it përgjatë vijës, ku me hartat e vjetra figuron vija kufitare e Kosovës. Kjo kërkesë nuk po përkrahet nga organet vendimmarrëse e sidomos është për tu brengosur heshtja e Qeverisë. Tani jemi në prag të fushës zgjedhore dhe jam i sigurt se askush nuk do të kujdeset për hallet e banorëve të brezit kufitarë” tha Lenjani. /rajonipress/