Xhandarmëria serbe provokon edhe në Muçibabë

Gjilan – Xhandarmëria serbe të premten ka hyrë rreth 1 km në brendi të territorit të Kosovës. Idriz Rexhepi përfaqësues i fshatit tha për rajonipress se xhandarmëria serbe ka maltretuar Sadri Ibrahimin 50 vjeçar dhe Xhemajl Kokën i moshës 70 vjeçare.
Xhandarmëria serbe pos problemeve që po i shkakton në Karaqevë të Kamenicës ajo po tregohet e guximshme edhe në pikën kufitare në Muçibabë të Gjilanit raporton rajonipress.
Të premten një grup i xhandarmërisë serbe ka hyrë në brendi të territorit të Kosovës rreth 1 km.
Idriz Rexhepi përfaqësues i fshatit tha për rajonipress se të premten xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka ndaluar e maltretuar Sadri Ibrahimin dhe Xhemajl Kokën. “Të dy këta banorë janë ndaluar te vendi i njohur si “Shpija e Ilazit” ku edhe janë maltretuar dhe janë pyetur për gjëra të parëndësishme. Banorët edhe pse nuk janë “frikësuar” sepse kanë qenë në territor të Kosovës megjithatë janë habitur sesi ka mundësi që në tërë atë punkt policor vetëm pak metra larg tyre hynë xhandarmëria serbe” shprehet Rexhepi.
Sadri Ibrahimi dhe Xhemajl Kokaj rastin e kanë paraqitur edhe në polici. Ndryshe vet Idriz Rexhepi thotë se që nga nënshkrimi i marrëveshjes për menaxhim të përbashkët të kufirit nuk ka pasur telashe kufitare. “Ky është rasti i parë ndoshta që xhandarmëria serbe hynë në pikë të ditës në territorin e Kosovës dhe duhet urgjentisht që KFOR-i dhe policia kufitare përmes mekanizmave të tyre ndërlidhës ta alarmojnë komandën e përgjithshme të KFOR-it” thotë Rexhepi. /rajonipress/