Xhamisë në “Deremahallë” i jepet në shfrytëzim një parcelë

Gjilan – Komiteti për Pronë, Banim dhe Rindërtim ka shqyrtuar kërkesën e Bashkësisë Islame për kompensimin e pronës publike te xhamia në “Deremahallë” dhe ka rekomanduar një zgjidhje, që nuk bie ndesh me ligjet aktuale, që do të ishte dhënia e pronës së kërkuar në shfrytëzim, meqenëse kompensimi nuk parashihet me ligj.
Sali Fazliu, zyrtar nga Kadastra, ka thënë se kërkesa e Bashkësisë Islame ka të bëjë me mundësinë e kompensimit ose këmbimit të një prone, prej së cilës, gjatë viteve të tetëdhjeta i janë marrë 36 metra, për nevoja të zgjerimit të rrugës.
Asokohe nuk janë zhvilluar procedurat për shpronësim, por iu është premtuar kompensimi i kësaj pjese me një sipërfaqe tjetër, pronë komunale, e cila gjendet prapa xhamisë dhe ka mbi 50 metra sipërfaqe.
Fazliu ka thënë se në terren është konstatuar se ngastrës kadastrale 4583-0, me sipërfaqe të përgjithshme prej 313 m/2, i mungojnë 36 m/2, të cilat i janë bashkëngjitur rrugës publike përballë dhe anash xhamisë.
Autoritetet e BI-së kërkojnë që kjo sipërfaqe t`u kompensohet me parcelën parapa xhamisë, që ka 51 m/2 dhe është pronë e Komunës, dhe aktualisht nuk shfrytëzohet për asgjë.
Sipas imamit Enver Rexhepi si dhe përfaqësuesit tjetër të BI-së, Ramiz Sherifi, kjo sipërfaqe do të shfrytëzohej për ndërtimin e nyjave sanitare, të cilat tani gjenden brenda objektit të xhamisë dhe krijojnë probleme higjienike.
Duke qenë se ligji nuk lejon shkëmbim të pronës komunale, pos me AKP-në, Komiteti rekomandoi që kjo sipërfaqe t`i jepet BI-së në shfrytëzim për aq kohë sa lejon ligji, nëse kjo zgjidhje është në përputhje edhe me planin urban të qytetit.
Ali Arifi, kryesues i KPBR ka thënë se zgjidhja duhet të harmonizohet me ligjet e zbatueshme në Kosovë, për çka ka thënë se duhet të merret mendimi edhe i Drejtorisë së Urbanizmit, në aspektin e planifikimit urban si dhe i Bashkësisë së Ujërave, meqë parcela që kërkohet, ka qenë përroskë dhe figuron në emër të saj, përkatësisht Kuvendit Komunal. /rajonipress/