Xhaka s’ka frikë nga Man City
Mesfushori i Borussia Monchengladbach, Granit Xhaka, favorizon Manchester Cityn, por nuk ka frikë nga gjiganti anglez, në duelin e tyre në kuadër të Grupit D, në Ligën e Kampionëve. Ai thotë se nënçmimi i mundshëm nga “Citizens” mund të shkojë në favor të tyre.
Mesfushori i Borussia Monchengladbach, Granit Xhaka, beson se Manchester City mund ta pësojë në udhëtim te skuadra e tij, në ndeshjen e xhiros së dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, të mërkurën. Gladbach pret Cityn në Borussia Park, ku të dyja skuadrat kërkojnë pikët e para në Grupin D, pas humbjeve nga Sevilla, përkatësisht Juventus.
“Citizens” pësuan 2:1 në shtëpi nga “Bianconerët” dhe janë në seri negative prej tri disfatave në katër duelet e fundit në të gjitha garat. Kurse, Gladbach e shkarkoi trajnerin Lucien Favre pas humbjes 1:0 në Koln – e gjashta e njëpasnjëshme – por është rikthyer te fitorja ndaj Augsburgut dhe Stuttgartin me strategun e përkohshëm, Andre Schubert, duke shënuar shtatë gola. Përkundër formës së përmirësuar të Gladbachut, City prapë konsiderohet si favorit, shkruan gazeta Zëri.
Mirëpo, Xhaka beson se nënçmimi i mundshëm mund të sjellë një befasi. “Të pajtohemi me realitetin, janë shpenzuar shumë para në atë skuadër e cila është përplot me super yje, dhe për mua ata janë favorit për të fituar Ligën e Kampionëve”, deklaroi Xhaka për “Kicker”. “Ata po ashtu kanë bërë një nismë të gabuar dhe do t’i kërkojnë pikët e plota. Ne kemi punë me një skuadër të jashtëzakonshme, por nuk duhet të kemi frikë nga City. Ne duhet të jemi të bashkuar, të sulmojmë, dhe t’i krijojmë presion kundërshtarit. Ndoshta ata do ta nënçmojnë dhe besoj se mund të na mposhtin në 80 ose 90 për qind. Të jem i sinqertë, nuk e di nëse Manchester City i njeh futbollistët e Borussia Monchengladbach”, shtoi ai. Manchester City ka humbur kryesimin në Premierligë në fundjavë, andaj do të ketë një motiv shtesë që të rikthehet në rrugën e duhur me fitore në duelin kundër Borussia Monchengladbach. Në duelin tjetër të Grupit D, skuadrat me pikë të plota nga duelet e para, Juventus dhe Sevilla takohen në Torino. Kurse, në Grupin A, Real Madrid me pesë mungesa (Sergio Ramos, James Rodriguez, Danilo, Pepe dhe Gareth Bale) do ta kërkojë fitoren e dytë në udhëtim te Malmo.
Kurse, Shakhtar Donetsk është nikoqir i Paris Saint-Germain. Në Grupin B, Manchester United pret Wolfsburgun në Old Trafford. “Red Devils” u mposhtën në udhëtim te PSV Eindhoven, dhe kërkojnë fitoren e parë. Kurse, CSKA Moska takohet me PSV Eindhoven në Rusi. Atletico Madrid është nikoqir i Benficas në Vicente Calderon. Dueli do t’i vërë përballë skuadrat që kanë bilanc të plotë pas dueleve të para. Kurse, Astana pret Galatasarayn në takimin e ekipeve që kërkojnë pikët e para në Grupin C.
Grupi A
20:45 Malmo – Real Madrid
20:45 Shakhtar D – PSG
Grupi B
20:45 CSKA M – PSV Eindhoven
20:45 Man Utd – Wolfsburg
Grupi C
18:00 Astana – Galatasaray
20:45 Atletico M – Benfica
Grupi D
20:45 Borussia M’Gladbach – Man City
20:45 Juventus – Sevilla


