Xhaka mat forcat me Shaqirin

Dy miqtë, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, do t’i matin forcat kundër njëri-tjetrit këtë fundjavë në Bundesligën gjermane. Graniti me Borussia Monchengladbach do të luajë kundër Bayern Munichut të Xherdanit, në ndeshjen e fundit të stinorit në Gjermani.
Graniti, që këtë stinor ka shënuar vetëm një gol me Gladbachun, dëshiron që të dytin ta shënojë pikërisht këtë fundjavë kundër skuadrës së Xherdanit. “Goli i parë nuk është mjaft. Duhet të punojë edhe më shumë për të tjerë”, deklaroi Graniti për ‘Express.de’. Tutje, mesfushori kosovar theksoi se ia ka uruar titullin e kampionit bashkëvendësit të tij, duke thënë se ai e meritoi një gjë të tillë.
“Unë tashmë ia ka kam uruar titullin Xherdanit. Ai e meritoi atë. Ne e pëlqejmë njëri-tjetrin dhe edhe familjet i kemi të miqësuara”, u shpreh Xhaka. Ky i fundit gjithashtu thotë se presioni mbi të ka qenë shumë më i madh te Borussia, sesa presioni i Shaqirit pasi nënshkroi me Bayern Munichun. Graniti deklaroi se pati shumë përgjegjësi në klubin e tij të ri.
“Ndoshta më të lehtë e pati Xherdani me Bayernin. Pritjet nuk ishin aq të mëdha në një klub aq të madh në krahasim me mua në Gladbach”, tha mesfushori kosovar. Të kujtojmë se Xhaka dhe Shaqiri ishin bashkëlojtarë në Basel, prej nga vitin e kaluar të dy u transferuan në Gjermani. Graniti për 8.5 milonë euro kaloi te Borussia, ndërsa Xherdani për më shumë se 12 milionë euro u transferua në Munih.