Xhaferi: Vendim joracional i Mimozës

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, thotë se vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për bllokimin e importit të miellit nuk i është drejtuar Kosovës. Sipas tij, një vendim i tillë vlen për të gjitha shtetet deri më 15 shtator të këtij viti.
“Ne kemi aplikuar masa mbrojtëse të grurit dhe miellit për shkak se jemi më të dobët në rajon dhe deri më 15 shtator mbetet mbrojtja për miellin, ndërsa për grurin kjo masë është hequr”, thotë për “Zërin” Xhaferi, duke shtuar se bllokimi i mallrave mund ta dëmtojë tregtinë maqedonase, mirëpo nuk është i sigurt nëse do ta avancojë atë të Kosovës.
Numri dy i Qeverisë së Maqedonisë shton se edhe Qeveria e Kosovës ka mundur ta marrë një masë të tillë reciproke për miellin që do të importohej nga Maqedonia, e jo të vijë deri te situata e ashpërsimit të luftës tregtare mes dy vendeve.
“Duhet ta gjejmë një kompromis që mos t’i dëmtojnë njerëzit tonë, sepse njerëzit tanë janë në dy anët e kufiri”, shprehet ai.
Sipas tij, pasi që masa maqedonase nuk ka qenë vetëm për miellin që importohej nga Kosova, por për të gjitha shtetet, atëherë kundërpërgjigja e ministres së Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka qenë joracionale.
Xhaferi potencon se kjo situatë mes Kosovës dhe Maqedonisë është më e pafavorshme për ministrat shqiptarë në kabinetin Gruevski. “Ne si ministra shqiptarë jemi në një pozitë të pafavorshme, nuk dimë kah të anojmë”.
Në anën tjetër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nëpërmjet një komunikate për shtyp i ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se masat e ndërmarra për bllokimin e importit të produkteve me origjinë nga Maqedonia mbesin në fuqi deri në vendimin e palës maqedonase për heqjen e të gjitha barrierave tregtare dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve ndaj Republikës së Kosovës.
Kjo Ministri u bën thirrje qytetarëve të vendit që t’i ikin shkuarjes në Maqedoni. “Qeveria e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që, përveç në raste urgjente, për shkak të situatës së papërshtatshme, momentalisht t’i shmangen shkuarjes në Maqedoni. Për shkak të bllokimit të kufirit që është bërë me automjete transportuese dhe autobusë në territorin e Maqedonisë para pikëkalimeve kufitare në Bllacë dhe Jazhincë të Maqedonisë, qytetarët e Kosovës momentalisht lejohen të kalojnë kufirin vetëm në këmbë. Aktualisht kufiri është i mbyllur për të gjitha automjetet, ndërsa kalimi i këmbësorëve bëhet pa pengesa nga të dyja anët e kufirit. Situata është e qetë dhe stabile”, thuhet në njoftimin e MTI-së.
Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe në rrugë institucionale të problemeve tregtare dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve me Republikën e Maqedonisë, thuhet ndër tjerash në komunikatë./zeri/