Xhabir Zharkun e shpëton dyshtetësia

Xhabir Zharku ka kujtuar lirimin nga një burg i Shkupit ku kishte vuajtur dy vjet për vepër penale të agjitacionit dhe propagandës.
Përvjetorin e 30-të të lirimit e ka ndarë me miqtë e tij në “Facebook” më 16 mars, nga Suedia, ku ndodhet prej më shumë se një viti, i arratisur nga vuajtja e një dënimi me burgim të shpallur në Kosovë, për vepër penale të detyrimit.
“Para 30 viteve jam liruar nga burgu i Idrizovës së Shkupit, ku kam mbajtur dënimin, dy vjet që më është dhënë nga gjykata e Maqedonisë për agjitacion dhe propagandë kundra regjimit jugosllav”, ka shkruar Zharku.
“Jam përpjekur që tërë kohës t’i ndihmoj popullit dhe atdheut tim që të fitojë lirinë. Ndihem krenar që isha pjesë e lirisë së vendit tim, edhe pse unë nuk po mund të jetojë i lirë, megjithatë besoj në të ardhmen e ndritur të popullit tim”.