Hidromorava

Xeni, 55 dasma për këtë sezon

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Jemi mësuar të gjithë ne që verës të kemi e të jemi nëpër dasmat kosovare. Kemi dëgjuar shpesh duke diskutuar se sa fiton filan këngëtari e filan këngëtarja, dhe sa herë u kemi “lakmuar” e imagjinuar xhepat e tyre plot. Emra të njohur të estradës kosovare, ndodh që në pranverë ta kenë të rezervuar të gjithë sezonin e verës, të aranzhuar për të kënduar në dasma e ahengje të shumta. Por sa i kushton xhepi i tyre, Administratës Tatimore të Kosovës? Plot nga ata nuk kanë pranuar të përgjigjen e të flasin për fitimet e veta, por emra të njohur të estradës kanë thënë se janë tatimpagues të rregullt.

Këngëtari Shkelzen Jetishi, i njohur me emrin Xeni, dhe njëri ndër më të kërkuarit në “tregun e dasmave”, ka thënë se është tatimpagues i rregullt.

Ai paguan 10 për qind të vlerës reale të fitimit nga një dasmë, vlerë kjo që me raste edhe mund të ndryshojë.“Unë paguaj 10 për qind të fitimit neto për çdo dasmë, por kjo varet nga çmimi sepse nuk është kurrë e njëjtë”, është shprehur Shkelzen Jetishi.

Ai nuk ka treguar sa fiton nga një dasëm, por ka shtuar se për familjarë dhe miq këndon pa para.“Nuk dua të jap ndonjë shifër, sepse shpesh këndoj pa para për familjaë dhe miq. Por shuma varion, nuk është asnjëherë e njëjtë”, ka treguar Xeni.

Deri më tani ai i ka të regjistruara 55 mbrëmje të mbajtura për këtë sezon, duke shtuar se do të ketë edhe shumë të tjera.“Janë 55 dasma të regjistruara, do të ketë edhe të tjera deri në fund të verës. Fitimet e të gjitha dasmave dërgohen në Administratën Tatimore”, ka thënë Xeni.

Uji Dea

“I paguaj rregullisht tatimet se më ndërrohet puna, për çdo natë më ndalet tatimi sepse jam në TVSH, sikur firmat e mëdha”, ka treguar Jetishi për “Zërin”.
Një tjetër këngëtar që është i angazhuar në mbrëmje të ndryshme është Ramadan Krasniqi, i cili thotë se është ndër këngëtarët e parë që ka filluar të paguajë tatim.

“Jo për t’u lëvduar, por jam këngëtari i parë që kam filluar të paguaj tatime, në shtator të vitit 2002”, ka thënë Dani. Ai ka shtuar se paguan rregullisht tatime, ndërkaq ka treguar se në muajt e verës paguan më shumë.“Në korrik dhe gusht pasi ka më shumë dasma dhe mbrëmje të ndryshme paguaj më shumë se 900 euro, për sezonin, ndërsa muajt e tjerë paguaj 900 euro”, ka thënë Krasniqi për gazetën.

Dani ka treguar se është shumë i saktë në pagesën e tatimeve, duke shtuar se kjo verë për nga mbrëmjet e mbajtura nuk ka qenë edhe shumë e nxehtë.
“Sivjet kam pasur më pak mbrëmje se vitet e kaluara, i kam pasur rreth 20, 13 prej të cilave janë në Ulqin, por nuk do të shkoj, pasi shumica e mbrëmjeve të kolegëve kanë dështuar atje”, ka përfunduar këngëtari Ramadan Krasniqi.

Blerta Nikqi, nga zyra për komunikim me media në Administratën Tatimore, pas kërkesës që gazeta ka bërë para dyjavësh, ka thënë se “bazuar në Ligjin Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, secili tatimpagues, pra në këtë rast edhe këngëtarët (estrada) të cilët realizojnë të ardhura janë të obliguar që të kryejnë detyrimet e tyre tatimore, ashtu siç është paraparë edhe në Ligjin 03/L-161 për Tatimin në të Ardhurat Personale”, ashtu shkruan në ligjin mbi tatime.

Ajo ka shtuar se të gjithë tatimpaguesit borxhlinj ndaj ATK-së, përfshirë edhe këngëtarët, sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, nëse nuk kanë vullnet që të paguajnë borxhet e tyre, do t’u nënshtrohen procedurave të Mbledhjes së Detyrueshme nga ATK: “Këto procedura përfshijnë bllokime të llogarive, tërheqje të mjeteve nga llogaritë e tyre bankare, ndalesa për largim nga Kosova e deri në konfiskim të pasurive të ndryshme”, ka thënë Nikqi.